Kjo mund të tingëllojë e çuditshme për njerëzit që jetojnë në vende të tjera, por Suedia nuk ofron ndonjë luks ose privilegj për politikanët e saj. Pa makina zyrtare ose shoferë privatë, ministrat dhe parlamentarët suedezë udhëtojnë në autobusë dhe trena të mbushur me njerëz, ashtu si qytetarët që ata përfaqësojnë.

Pa të drejtën e imunitetit parlamentar, ata mund të gjykohen në gjykatë si çdo person tjetër.

Pa sekretar në derë, zyrat e parlamentarëve janë më pak se 8 m2.

“Unë jam ai që paguaj politikanët”, thotë Joakim Holm, një shtetas suedez. “Dhe nuk shoh asnjë arsye për t’i dhënë atyre një jetë luksoze”.

Politikanët që guxojnë të shpenzojnë para publike për udhëtime taksi, në vend që të hipin në tren, përfundojnë në faqet e para të gazetave. Edhe kryetari i parlamentit mori një kartë për përdorimin e transportit publik,.

Vetëm kryeministri ka të drejtën e përdorimit të përhershëm të makinave dhe sigurinë personale.

Parlamentarët suedezë jetojnë në apartamente të vogla në kryeqytet, ku lajnë dhe hekurosin rrobat e tyre në lavanderi. Kjo mund të duket modeste për njerëz të tillë të shquar, por në fakt është shumë më mirë sesa ishte dikur.

Deri në fund të viteve 1980, të gjithë parlamentarët flinin në kanape në zyrat e tyre.

Askush në jetën publike nuk fiton një pagë të madhe: paga për anëtarët e Riksdag (parlamentit) është rreth dy herë më e lartë se paga e një mësuesi të shkollës fillore.

Në nivelin komunal, çdo dëshirë për punësim në politikë mund të interpretohet si një rast që kërkon vlerësim psikologjik: sepse zyrtarët komunalë suedezë nuk fitojnë pagë, as nuk kanë të drejtën e një zyre  dhe punojnë vullnetarisht nga shtëpia.

Përvoja e Suedisë minon idenë e paarsyeshme që politikanëve duhet t’u jepet respekt si një kastë më e lartë, e përbërë nga zonja dhe zotërinj që janë më të famshëm se një qytetar mesatar dhe për këtë arsye meritojnë një të drejtë gati hyjnore për përfitime dhe privilegje.

Eshtë një komb që i trajton zyrtarët e tij qeveritarë dhe përfaqësuesit politikë si qytetarë të zakonshëm; është një shoqëri që shfuqizoi përdorimin e përemrave zyrtarë në vitet 1960 dhe ku të gjithë quhen “ti”, sepse, sipas sistemit suedez të vlerave, askush nuk është mbi të gjithë.

Pa pabarazi të mëdha shoqërore, Suedia është padyshim një vend më i sigurt dhe më pak i dhunshëm, ku politikanët dhe qytetarët zakonisht nuk kanë pse të udhëtojnë me makina antiplumb. Por, më e rëndësishmja, kjo është një shoqëri që zgjedh politikanë që duhet të jenë në kontakt me problemet e përditshme të qytetarëve. Politikanët nuk lejohen të vendosin interesat e tyre personale përpara atyre të përgjithshëm, në një shoqëri që tregon se pushteti politik mund të ushtrohet brenda kufijve të mirësjelljes.

Në sistemin gjyqësor, logjika është e njëjtë: nuk ka gjyqtarë që kanë të drejtë për automjete zyrtare, sekretarë ose privilegje.

Ata që janë në pushtet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të gjitha informacionet duhet të bëhen të disponueshme për publikun: hapja e Suedisë reflektohet në vetë transparencën e fuqisë politike, e cila monitorohet përmes ligjit më të vjetër në botë për transparencën. Në 1766, hyrja e publikut në dokumentet zyrtare të qeverisë u bë një e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët, e përfshirë në një kapitull të veçantë të Aktit të Lirisë së Medias në Suedi.

Në Suedi, është e mundur të monitorohen shpenzimet e ministrave, përfaqësuesve dhe gjykatësve në çdo kohë.

Një nga skandalet më të rëndësishme politike në vend ndodhi në vitet 1990. Zëvendëskryeministrja Mona Sahlin, bleu çokollatë, pelena dhe disa sende të tjera personale me një kartë krediti qeveritare dhe pagoi shtrenjtë për të: ajo humbi punën e saj. Skandali u shfaq në analet e politikës suedeze si çështja Toblerone.

Në pak më shumë se 100 vjet, Suedia është shndërruar nga një shoqëri e varfër, bujqësore në një nga vendet më të pasura, më të drejta shoqërore dhe më pak të korruptuara në botë, ku askush nuk është mbi të tjerët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re