Përfaqësuesja e lartë e Bashkimi Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi të hënën se pavarësisht mbështetjes për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Brukseli nuk i injoron problemet e shkaktuara sjelljet e këtij vendi.

Në një prononcim për mediat përpara fillimit të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në kryeqytetin e Belgjikës, Federica Mogherini bëri me dije se pikat kryesore të këtij takimi do të jenë Ukraina, Jemeni dhe bashkëpunimi NATO-BE.

Shefja e diplomacisë evropiane tha më tej se mbështetja që Unioni ofron për marrëveshjen bërthamore të arritur me Iranin në vitin 2015 nuk do të thotë se BE-ja miraton aktivitetet e qeverisë së Teheranit në rajonin e saj dhe në Evropë.

“Ne absolutisht nuk i injorojmë problemet që shkaktohen nga sjelljet e Iranit. Këtë çështje ne e ngremë në rend të ditës haptazi me bashkëbiseduesit tanë iranianë”, shtoi ajo.

Mogherini theksoi gjithashtu se janë duke punuar mbi një mekanizëm tregtar të posaçëm që synon të anashkalojë sanksionet e Shteteve të bashkuara të Amerikës kundër Iranit, faza e dytë e të cilave hyri në fuqi më datë 5 nëntor, dhe se me rëndësi të veçantë në këtë kontekst janë hapat që do të bëjnë Gjermania, Franca dhe Anglia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re