Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të martën se rifillimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor dhe se për këtë arsye, qeveria e Kosovës duhet të shfuqizojë taksën ndaj Serbisë. Duke kërkuar mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gruaja në krye diplomacisë europiane tha se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Roli juaj është dhe do të jetë vendimtar, dhe ne jemi të gatshëm, dhe unë personalisht në këtë rast, për të intensifikuar bisedimet me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ajo në fjalën në aulën e kësaj instance në Nju Jork.
Mogherini në një fjalim mbi rolin dhe prioritetet e politikës së jashtme të BE-së foli për pajtimin në Ballkanin Perëndimor, si kontribut të BE-së për multilateralizmin në botë.
Ajo veçanërisht iu referua dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për të vazhduar dialogun është i nevojshëm shfuqizimi e taksës nga qeveria e Kosovës. Në të njëjtën ditë, kur kjo të ndodhë, unë do të thërrasë një takim të ri në kuadër të dialogut, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të sjellë normalizimin plotësisht marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovë”, tha Mogherini.
Mogherini tha se “një rezultat pozitiv i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës do jetë shpresëdhënës për rajonin dhe një model dhe frymëzim për Evropën dhe gjithë botën.”