Përfaqësuesja e Lartë e BE në ikje, Federica Mogherini tha që udhëheqësit e bllokut evropian bënë një “gabim historik” kur nuk arritën të bien dakord për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në samitin e tyre.

Mogherini shkroi në blogun e saj se është dëshpëruar që liderët evropianë nuk mund të pajtohen përkundër “përparimit të jashtëzakonshëm” të bërë nga të dy vendet, dhe në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian.

“Është shumë më tepër sesa një shans i humbur. Është një gabim historik që shpresojmë të korrigjohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi Mogherini.

Presidenti francez Emmanuel Macron ishte kundërshtari më i zëshëm i fillimit të bisedimeve të anëtarësimit gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian të enjten dhe të premten, duke argumentuar se procedurat e zgjerimit duhet së pari të rishikohen para se t’i lejojnë vendet të hyjnë në BE.

Zyrtarët e lartë evropianë, të shqetësuar për rritjen e ndikimit kinez dhe rus në Ballkan, akuzuan Francën për bërjen e një “gabimi historik” duke bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, paralajmëroi në Bruksel se Kina dhe Rusia do të “mbushin vakumin” e lënë nga evropianët dhe u ka kërkoi këtyre të fundit “të mos lejojnë që yjet e ndritshëm të zbehen” nga flamuri i BE-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re