Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në takimin me Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, deklaroi se Shqipëria meriton hapjen e negociatave.
 
Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm.
 
Pjesë e këtij takimi është edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati bashkë me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në BE.
 
Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.
 
Ndër të tjera ministrat pjesmarrës nënvizuan progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re