Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, duke komentuar deklaratën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump se nuk do të konfirmonë marrëveshjen bërthamore me Iranin, tha se presidenti amerikan nuk ka autorizimin e duhur për të anuluar marrëveshjen në fjalë.

Mogherini në konferencë për media në Bruksel tha se Bashkimi Evropian (BE) është kundër anulimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin.
“Kjo nuk është një marrëveshje dypalëshe, nuk i përket asnjë vendi dhe për këtë arsye asnjë vend nuk mund ta anulojë atë e vetme. Kjo është marrëveshje shumëpalëshe e miratuar njëzëri edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është një marrëveshje e fuqishme që siguron garancitë e nevojshme dhe një mekanizëm të fuqishëm mbikëqyrës. Programi bërthamor i Iranit përdoret për qëllime civile, dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, tha Mogherini.
Ajo shtoi se nuk ka mundësi të anulohet një marrëveshje bërthamore dispozitat e së cilës nuk janë shkelur.
“Besoj se kemi përgjegjësi të përbashkët që të mbrojmë marrëveshjen për shkak të sigurisë së përbashkët”, tha Mogherini.
Në pyetjen e gazetarit se çfarë do të bëjë Trump rreth kësaj çështje, ajo tha se ai nuk mund të anulojë marrëveshjen në fjalë.
“Presidenti i SHBA-së ka fuqi të madhe, por jo edhe për këtë çështje”, tha Mogherini.
Ajo theksoi se BE-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Presidenti amerikan Trump të premten deklaroi se nuk do të konfirmojë marrëveshjen bërthamore me Iranin të vitit 2015, duke përmendur një sërë sanksionesh të reja kundër qeverisë së Teheranit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re