Moldavia, e cila ndodhet gjeografikisht mes Ukrainës dhe Rumanisë trembet prej kohësh se mund të bëhet “viktima” tjetër e politikës agresive ruse dhe e sheh veten përballë kërcënimeve gjithnjë e më të hapura nga Moska. Presidentja moldave, Maya Sandu hodhi akuza ndaj Moskës se po përpiqet të nxisë një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë.

Putin gjithashtu anuloi një dekret të vitit 2012, në të cilin Kremlini garanton sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Moldavisë. Për këtë temë, folën edhe kapiteni Artur Meçollari dhe eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide në emisionin “Lufta dhe Paqja” në Abc Neës nën moderimin e gazetarit Artur Zheji.

Meçollari theksoi se Rusia ka një plan të organizuar për të krijuar destabilitet në Moldavi por për momentin nuk ka asnjë mundësi për të ndërhyrë.

Prej vitit 1992 në territorin moldav gjenden 1500 trupa ruse dhe një depo e madhe municioni. Jemi në kushtet e një destabiliteti të Moldavisë. Mund të krijojë një avantazh për Rusinë, duke zgjeruar territorin e konfliktit. 1500 forcat janë të pamundura të veprojnë në Moldavi. E vetmja mundësi është të projektojë një fuqi.

Tre janë mundësitë: Nëpërmjet Detit të Zi por Rusia nuk ka kontroll detar. E dyta është nëpërmjet ajrit. Mundësia e tretë është zgjerimi i korridorit nga Kherson në drejtim të Odesës por ka një dobësi sepse Rusia ka një vijë kontakti 1600 km. Nëse do të zgjerojë vijën me Ukrainën.”, tha Meçollari.

Eksperti i gjeopolitikës Enri Hide tha se Moska kërkon që të rrisë tensionet në rajon dhe të krijojë vatra të reja konflikti.  Këtë gjë, shtoi më tej Hide, Rusia po tenton që ta bëjë edhe në Ballkan.

“Nga njëra anë kemi ndërhyrjen në Moldavi por dhe në Gjeorgji dhe nga ana tjetër është ajo që rusët po tentojnë të rikthejnë thellësi strategjike. Pra nëpërmjet ndërhyrjeve në Ukrainë, edhe në disa zona të tjera, Rusia po tenton që të aplikojë një strategji që në rastin e Ukrainës shkon drejt luftës.

Mendoj se është një strategji e llogaritur që të rrisë kostot e partnerëve, të rrisë tensionet në rajon, të krijojë qendra dhe vatra të reja konflikti dhe t’i mbajë ato ndezur sikurse e ka bërë edhe në zona të tjera si Ukraina, Gjeorgji, Moldavi dhe nga ana tjetër mendoj se Rusia është duke tentuar që këtë strategji ta zgjerojë edhe në Ballkan.”, tha Hide.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re