Dhjetëra tonelata mollë kanë mbetur të pashitura në qarkun e Korçës, pjesa më e madhe e të cilave ruhet në kushte frigoriferike.

 

Fermerët dhe specialistët e bujqësisë ankohen për mbetjen stok të tyre, për shkak të mos shitjes së varieteteve të reja të mollëve te cilat mund të tregtohen edhe në vendet e Bashkimit Europian.

 

Ergi Gupe nga Devolli, administrator në njërin prej frigoriferëve më të mëdhenj në qarkun e Korçës, tregon se pjesa më e madhe e prodhimit shitet me çmim nën kosto, ndërkohë që pjesa tjetër përfundon në kanal.

 

Mungesën e shitjes së mollëve ai e lidh me rënien e tregut të brendshëm, mos eksportimin e prodhimit dhe mos rritjen e çmimit të referencës për mollët që vijnë nga importi.

 

Sipas specialistëve, mungesa e eksportit vjen edhe sepse pas daljes nga kushtet frigoriferike, molla nuk ruan vlerat ushqyese për një kohë të gjatë, gjë që detyron tregtarët të tërheqin sasi shumë të vogla.

 

Në qarkun e Korçës mesatarisht çdo vit prodhohet nga 80 deri në 100 mijë ton mollë. Ndërkohë, vetëm 18-20% të prodhimit ruhet në kushte frigoriferike.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re