Policia e Tiranës ka publikuar pamjet nga momenti i grabitjes së pikës së këmbimit Valutor në zonën e Astirit mëngjesin e kësaj të shtune.

Nga video e publikuar nga policia shihet momenti kur autori i maskuar u drejton armën punonjësve dhe u merr një shumë prej rreth40 mijë eurosh.

Ndërkohë në lidhje me gjetjen e autorit, uniformat blu kanë vendosur në dispozicion një numër për të gjithë ato që kanë një informacion të vlefshëm që do të shpërblehet me shumën prej 5000 eurosh.

“Në funksion të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një shtetas është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor në Unazë të Re, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri ka marrë një shumë parash dhe është larguar me biçikletë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion pamjet filmike të ngjarjes.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re