Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi foli për raportet me Partinë Demokratike, për të cilat tha se i bashkon i njëjti qëllim, largimi i Ramës. Ndërsa ajo që i ndan, tha Kryemadhi është ideologjia.

Sipas Kryemadhit, Rilindja ka cënuar integritetin territorial, ndaj qeveria e Ramës duhet të largohet.

“Ne bashkëpunojmë me PD-në, jemi bashkë për të larguar Ramën. Ne ndahemi në ideologji. Kjo sepse LSI ka ideologji integrimin europian të vendit, ka ideologji të saj që Shqipëria të ketë më shumë njerëz, Lëvizja Socialiste është parti social-demokrate. Rilindja ka cenuar integritetin territorial, duke nisur nga kufijtë e Kosovës etj. Ne duam të luftojmë kundër sektit kriminal”, u shpreh Monika Kryemadhi .

Duke folur për rezultatin e LSI në zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi u shpreh se ai do të jetë një surprizë për mediat dhe opinionin publik. Në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Kryemadhi theksoi se për vetë LSI rezultati nuk do të jetë surprizë por është i pritshëm.

“Rezultatet e LSI-së janë rezultate që do të jenë surprizë për mediat dhe opinionin publik, por nuk do të jenë surprizë për LSI-në dhe socialistët. Sepse ajo që dua të theksoj është që pavarësisht se imponohet dhe instrumentalizohen dhe paguhen jashtëzakonisht shumë televizione, apo edhe individë që për hir të pandemisë dhe krizës ekonomike e kanë shumë të vështirë që të ndryshojnë standardin e jetesës së familjeve të tyre, atëherë e shesin veten e tyre shumë lirë po themi, në rastin e prezantimeve të sondazheve të Edi Ramës për të çorientuar në njëfarë mënyrë opinionin publik.

Por në fakt ndodh e kundërta, sepse frika që njerëzit kanë prej Edi Ramës dhe menaxhimi që ai i bën situatave të krizave, që jo vetëm që nuk zgjidh kriza, por e rivendos krizë mbi krizën, i bën njerëzit që të shkojnë me vrap në qendrat e votimit dhe të votojnë kundër tij”, u shpreh Kryemadhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re