Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi përmes një video-mesazhi, ka prezantuar disa pika kryesore të planit të partisë që ajo drejton, për bujqësinë. Sipas Kryemadhit, shumë fermerë janë në kufijtë e mbijetesës.

“Do të vendosim TVSH 0% në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas që shqiptarët të ushqehen më mirë dhe më lirë”, thotë ndër të tjera kryetarja e LSI.

“Gjysma e popullit shqiptar jeton me bujqësi. Shumë prej tyre janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë rreth 80% të pagës për ushqim, vetëm 30% e kësaj kërkesë mbulohet nga prodhimi vendas.

Me planin tonë kjo situatë do të ndryshojë. Fermerëve shqiptarë do t’iu garantojmë mbështetje direkte për të rritur prodhimin. Një Paketë Financiare të Dedikuar e cila do të investohet për të mundësuar uljen e kostos së imputeve bujqësore dhe naftës.

E ndërsa fermerët do të mbështeten për njësi prodhimi, shqiptarët do të ushqehen me prodhimet Made in Albania. Do të vendosim TVSH 0% në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas që shqiptarët të ushqehen më mirë dhe më lirë.

Do të mbështesim industrinë ushqimore e cila do të mundësojë hapjen e vendeve dinjitoze të punës. Ne e mbajmë fjalën! Shqipëria do të bëhet shtëpia juaj”, thuhet në video-mesazhin e Monika Kryemadhit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re