Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme.

Monika Kryemadhi ka mbërritur në SPAK mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00.

Ajo mbërriti në dyert e Prokurorisë së Posaçme e vetme, e pa shoqëruar nga avokati dhe pritet të japë shpjegime para Burosë Kombëtare të Hetimit.

Kryemadhi, sipas gazetares Klodiana Lala, është thirrur në SPAK në lidhje me hetimet që po kryhen ndaj saj dhe Ilir Metës, në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA dhe hetimin pasuror që po kryehet ndaj tyre e personave bashkëlidhur me ta.

Ajo është thirrur edhe disa herë të tjera në Prokurorinë e Posaçme, jo vetëm në lidhje me këtë çështje, por edhe për shkak se ka qenë ndër kallëzueset kryesore për aferën e inceneratorëve.

“SPAK në lidhje me hetimet për çiftin Meta-Kryemadhi ka marrë në pyetje një sërë zyrtarësh të lartë, njerëz të politikës që kanë qenë pjesë e LSI, si edhe persona të tjerë të bashkëlidhur pasi ky hetim po kryhet prej të paktën 4 vitesh.

Fillimisht është nisur për aferën CEZ-DIA dhe më pas për kontratat lobuese me SHBA, dhe në fund është nisur hetim pasuror. Të gjitha janë bashkuar në një çështje të vetme dhe prokurorët e posaçme po vijojnë hetimet.

Krahas faktit që po hetohet për pasurinë dhe kontratat lobuese, po ashtu është edhe kallëzuese në aferën e inceneratorëve”, tha gazetarja Klodiana Lala.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re