Skip to content

Monika Kryemadhi: Vendimi për Durrësin i bën nul zgjedhjet. Prokuroria të hetojë KQZ-në

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka cilësuar nul të gjithë procesin e 30 qershorit. Reeagimi i kryetares së LSI-së, vjen pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kandidates socialiste për bashkinë e qytetit bregdetar, Valbona Sako.

Në reagimin e saj, Kryemadhi thotë se procesi është nul dhe ka pavlefshmëri absolute. Ajo thekson se pas këtij vendimi çdo vendim i KQZ-së është nul.

Ndërsa në fund i bën thirrje kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, të hetojë anëtarët e KQZ-së për shpërdorim detyre.

“Nul!

Pavlefshmëri absolute!

Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative.

Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim.

Gjithçka konsiderohet nul.

A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike??

Nul i gjithë procesi.

Zgjedhje nuk ka patur.

E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ?

I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ”, shkruan Kryemadhi.