Skip to content

Monitorim me dron, radarë dhe makina inteligjente në Shkodër, policia mbi një mijë masa në një javë

Screenshot 20260829 123208 Facebook2 696x392 1

Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Monitorimi është kryer me dronë, radarë dhe makina inteligjente, ndërsa kontrollet janë përqendruar te drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, veçanërisht në rastet e drejtimit nën efektin e alkoolit, tejkalimit të shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, përdorimit të celularit dhe mospërdorimit të rripit të sigurimit.

Si rezultat i monitorimit gjatë javës, janë arrestuar 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1018 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Nga masat e vendosura, 90 janë për parakalime të gabuara, 7 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 19 për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike.

Gjithashtu, janë vendosur 71 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 14 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 27 për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse dhe 10 për qarkullim me xhama të riveshur.

Policia Rrugore ka vendosur edhe 508 masa për parkim ose qëndrim të gabuar, ndërsa 272 masa janë vendosur për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Shkodër, duke përdorur mjetet bashkëkohore logjistike, me synim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Policia Rrugore e Shkodrës u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.