Ishte fshehur pranë oborrit të banesës së hasmit dhe po priste. Me vete mbante një armë me mulli me 6 plumba. Me të dalë nga banesa, 17 vjeçari ka qëlluar dy herë në drejtim të burrit të cilit po i bënte pritë. Plumbat e kapën në gjoks 65 vjeçarin Lekë Lekgjonaj. Aty ky i fundit gjeti vdekjen.

17 vjeçari nuk tentoi arratinë. I vetëdijshëm për atë që kishte bërë, ai dorëzohet në polici.

Arsyeja e vrasjes?

Me t’u pyetur nga hetuesit, 17 vjeçari F. P deklaroi se mori gjakun e të atit, ndaj kishte kryer vrasjen. Ngjarja ndodhi këtë të hënë, në fshatin Manati të Lezhës.

Në vitin 2009, babai i adoleshentit, Gjoni, ishte vrarë nga vëllai i viktimës së sotme, Ndue Lekgjonaj. Pas kësaj vrasje, Lekgjonaj u arrestua e kreu dënimin me burg (duke dalë së fundmi). Ndue Lekgjonaj nuk u kthye më në fshatin Manati, duke iu trembur një hakmarrje.

E në fakt ashtu ndodhi. 17 vjeçari mori armën dhe në pamundësi për të vrarë personin që i mori të atin, shkoi tek i vëllai.

E duket se hakmarrja ka qenë një motiv që i ka ndryshuar rrënjësisht jetën këtij të riu edhe para ditës së sotme…

Kur babai i adoleshentit ndërroi jetë, ai ishte vetëm 4 vjeç. Por vdekja e Gjonit, solli edhe vetëflijimin e të shoqes së tij, e cila u vetëhelmua. Personi që vrau Gjonin, gjatë tentativës për arratisje, kishte përplasur me makinë dhe djalin tjetër të familjes. Në kushte të rënduara psikike e duke menduar se humbi dhe djalin e madh, nëna e adoleshentit që sot mori hak, u vetëflijua.

17 vjeçari jetoi në vështirësi si jetim me gjyshërit… derisa sot, kreu aktin për të cilin nuk kishte diskutuar me asnjë njeri.

Një akt gjakmarrje, që si shumë të tjerë, mbetet një plagë e “heshtur” në shoqërinë shqiptare, derisa një tjetër viktimë i shtohet këtij cikli vicioz.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re