Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpallur fitoren në bashkinë e Shkodrës të kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia.

Gjatë një deklarate për mediat, grupi i Rithemelimit të PD-së nënvizon se demokratët nuk mund të merren peng nga një “klloun” (Basha) që pas 6 humbjeve nuk e jep dorëheqjen.

Komisioni i Rithemelimit nënvizon faktin që: “në këto zgjedhje ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit”.

Deklaratë nga Grupi i Rithemelimit:
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike falenderon me mirënjohje të thellë, të gjithë demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për mbështetjen e tyre të madhe në zgjedhjet e 6 Marsit.

Një falenderim për Shkodrën dhe qytetarët e saj të cilët me mbështetjen e tyre për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia, dëshmuan se Shkodra si gjithnjë mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve.

Në këto zgjedhje ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit.

Gjithsesi, vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t’u ringritur plot besim dhe shpresë.

Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, opozita e vetme dhe e vërtetë: I bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re