“ABC” ka zbardhur detaje të reja nga arrestimi i drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit Edmond Karriqi me akuzën e korrupsionit.

Një burim nga grupi hetimor i tha “ABC”-së se Karriqi akuzohet se ka marrë shumën prej 2 mijë euro për të ndryshuar masën e sigurisë për një të pandehur, nga arrest me burg në masë më të lehtë për ta nxjerrë nga qelia.

“Gropën” drejtuesit të prokurorisë ia kanë bërë përgjimet e SPAK, që e kishin në vëzhgim pas informacioneve që kishin marrë.

Gjithashtu nga operacioni në pranga ranë edhe Isuf Gega me shoferin e Karriqit. Ndërkohë është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg” për dy persona të tjerë, D.D dhe E.B si të dyshuar se i kanë dhënë shumën monetare prokurorit Kariqi.

Edmond Karriqi është Drejtuesi i Komanduar nga KLP në krye të prokurorisë së Kukësit, ndërsa emërimin e tij, e ka si prokuror në detyrë në prokurorinë e Lushnjës.

Tre vite më parë Karriqi ka shërbyer si prokuror edhe në Kavajë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re