Një peticion i krijuar nga Erion Dasho po firmoset online pas pushimit nga puna të mjekut Ilir Allkja, i cili shërbente në QSUT. Aty mund të firmosë dhe të kontribuojë financiarisht çdo person që dëshiron. Ka vetëm dy orë që është krijuar peticioni dhe kanë firmosur 266 persona, ndërkohë që shenja e revoltës ndaj qeverisë duket se nuk do të përfundojë me kaq.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Dasho thekson se mjekët duhet të bëhen bashkë në emër të Allkjas për të mbajtur një protestë para zyrës së Ramës, Ministrisë së Shëndetësisë, të zhvillojnë grevë qoftë edhe për një orë.

Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim ndërsa vijojnë të vendosen firma në peticion.

Reagimi i plotë:

FTESË PËR REAGIM!

Me pushimin nga puna të Dr. Ilir Allkja në 30 dhjetor, drejtori klarinetist i QSUT-së synon të bëjë një goditje të dyfishtë. Ai heq qafe një zë kundër menaxhimit skandaloz të epidemisë nga ana e QSUT-së por njëkohësisht e bën këtë në momentin kur reagimi i opinionit publik dhe atij mjeksor pritet të jetë më i dobët për shkak të festave të fundvitit.

Kjo goditje djallëzore duhet të marrë përgjigjen e mjekëve jo vetëm në QSUT, por në të gjithë vendin. Nuk ka rëndësi në se jeni dakord apo jo me problemet që ngre Dr. Iliri. Mjekët, ndër të paktët intelektualë që i kanë ngelur këtij vendi, duhet të udhëhiqen nga thënia madhështore “Mund të mos jem dakord me mendimin tënd, por do të luftoj deri në vdekje që ti ta thuash atë”!

Një protestë para zyrës së klarinetistit, një protestë para ministrisë së shëndetësisë, një grevë qoftë edhe njëorëshe, një peticion në median sociale, etj. do të ishin reagime të pritshme nga komuniteti i kolegëve!

Një koleg mori letrën e pushimit si dhuratë për Vitin e Ri! Familja e një kolegu nuk do të festojë nesër normalisht si gjithë familjet tona! Le të solidarizohemi me të si një detyrim minimal për bluzën e bardhë që mbajmë veshur!(A.M/Faxweb.al)

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re