Pak orë pasi Erion Veliaj akuzoi Lulzim Bashën se ka shitur protestën e Astirit, duke marrë makinë dhuratë nga një prej kompanive që ka fituar një prej loteve të Unazës së Madhe, PD ka ngritur një padi ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Burime nga Gjykata e Tiranës bëjnë të ditur se Veliaj është paditur për herë të dytë brenda javës, pas deklaratave të tij se “disponon prova që Lulzim Basha mori një makinë 130 mijë euro nga një prej kontraktorëve për të lënë protestën tek Astiri”.

“Pjesë e fushatës denigruese për të dëmtuar imazhin e kreut të opozitës- siç thuhet në padi- janë edhe akuzat e Veliajt se “PD është një çetë që vë gjoba dhe që u bie biznesmenëve për të marrë një vilë apo një makinë”. 

Për këto akuza, kërkohet nga gjykata dënimi i Erion Veliajt për shpifjet e përsëritura kundër Kryetarit të PD, Lulzim Basha, me qëllim dëmtimin e imazhit dhe përfitimin në zgjedhjet e ardhshme.

“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”- thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.

Veliaj tha mbrëmë në emisionin Open se dispononte fakte ndaj Lulzim Bashës,  të cilat sipas tij do ti çonte në SPAK.

“E kam shumë pasion këtë që bëj. Unë do të jetoj këtu dhe do të kontribuoj këtu. Në çdo takim kemi qenë me aktorë, sportistë. Nuk kemi fyer njeri me fjalë të rënda, por ama faktet do t’i themi. Kur njerëzit më pyesin për trafikun dhe Astirin, i them që atje ka pasur protestë. Përse kompania ndaloi punën. Unë po të them nuk shaj njeri, faktet do t’i them.

Ajo që bëjmë në fushatë është minimalisht që njerëzit duan përgjigje. E keni vënë re që u protestua te zyra e kryetarit të bashkisë. Basha për tre vite bllokoi Astirin. Por kur ai ka marrë nga kompania atje një makinë, kjo ka 64 transaksione. Por kur t’i merr një dhuratë nga kompania dhe e lë protestën sikur të mos ketë ndodhur asgjë, atëherë do të thotë që tallet. Banorët e Astirit i njoh shumë mirë, ka 80.000 banorë.

Fushata duhet të ketë fakte, mbi faktet duhet të ndërtohet e vërteta. Kur ti ke ardhur në këtë televizion punëdhënësi të ka pyetur çfarë ke bërë më përpara. Kjo do të ndodhë më 25 prill. Populli shqiptar me të drejtë do të thotë çfarë ke bërë më përpara. Qëllon që të dy kanë punuar në Tiranë dhe po shkojnë për të marrë një punë më të madhe. Kjo është letra që unë mezi po pres të shkoj në SPAK. Kur Edi Rama shkonte të bënte shtëpinë e të tjerëve, Basha shkonte të fotografonte shtëpitë e oligarkëve.

Përse duhet një njeri që kandidon për kryeministër dhe thotë që më është prishur pallati. Kam folur me administratoren dhe më ka thënë që pallati nuk ka rrezikshmëri dhe është i banueshëm. Këto do i dërgoj të gjitha në SPAK. Shton kate pa leje, refuzon të shkosh në prokurori. E para punës kam fituar 15 nga 15 gjyqe. Ky pallat është i padëmtuar. Në momentin që shqiptarëve iu dëmtua shtëpia, kryetari i opozitës fotografonte vilat e veta”, tha Veliaj. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko