Prokuroria e posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur Aleksander Lahon të njohur edhe si Rrumi i Shijakut me akuzën e korrupsionit aktiv në lidhje me dosjen  për tjetërsimin e pronave në gjirin e Lalëzit.

Laho akuzohet se i ka dhënë një shumë prej 900 mijë lekësh shtetasit Irgen Kërçuku që ka qenë përfaqësues i avokatit të shtetit në  proces gjyqësor për çështje pronësie në Durrës. Edhe për Kërçukun janë mbyllur hetimet dhe ai është marrë i pandehur për korrupsion pasiv.

Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato.

Sipas SPAK gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës për një sipërfaqe prej 45   mijë metra katror tokë.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.235 të vitit 2020 dhe në përfundim të tyre në datën 25.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

 Irgen Kërçuku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të kësaj dispozite në kohën e kryerjes së veprës penale.

• Aleksandër Laho, akuzar se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës .
I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.
Hetimet vazhdojnë në një procedim të ndarë për fakte të tjera penale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re