Nga Pano Soko

Mos e shani Erion Veliajn, sepse i bëni nder. Kushdo që shan personin
Erion, thjesht sa bie në kurthin që ai ka përgatitur me aq kujdes. Ti e shan mashtrues, i bën nder.Ti e shan manipulator, i bën nder.Ti e shan hajdut, i bën nder.Ti e shan gënjeshtar patologjik, i bën nder.Jo sepse këto nuk janë të vërteta, por kur debati fokusohet kundër individit, është në favor të individit.

Kryetari i Bashkisë duhet vënë para përgjegjësisë të tregojë:

– Ku janë shpenzuar 480 milionë USD që qytetarët i kanë paguar Bashkisë këto 4 vjet?

– Erion Veliaj ka marrë nga qytetarët në formë taksash të rritura dhe
taksash të reja, si dhe ka harxhuar 120 milionë USD (pa përfshirë
rritjen e çmimit të ujit, vetëm taksa e tarifa) më shumë sesa
paraardhësi i tij në katër vjet. Ku i ka shpenzuar këto lekë? Çfarë
shërbimesh apo mallrash morën qytetarët më tepër për këto lekë që paguan
më tepër?

– Janë paguar 24 milionë USD në 3 vjet si taksë për infrastrukturën
arsimore, mjaftueshëm për të ndërtuar minimalisht 48 shkolla të reja? Ku
janë shkollat? Ku shkuan këto lekë?

– U rrit çmimi i ujit me 45% me justifikimin se në fund të mandatit
gjithë Tirana do të kishte të zgjidhur problemin e ujit, pra do kishte
24 orë ujë dhe do ta kishte të pijshëm. Ndërkohë situata veçse është
përkeqësuar që nga 2015 dhe uji ka filluar dhe vjen gjithnjë e më pak,
për shkak të ndërtimeve të reja dhe ndërhyrjeve të shtuara në rrjet? Ku
shkuan 20 milionë USD që janë mbledhur nga rritja e këtij çmimi? Meqë
kushti i rritjes së çmimit (ndërtimi i ujësjellësit të ri) nuk u
realizua, a e di Kryetari që në bazë të Kodit Civil, UKT SHA duhet t’ua
kthejë lekët mbrapsht qytetarëve, ndërsa Enti Rregullator i Ujit duhet
ta anulojë rritjen dhe ta kthejë çmimin aq sa ishte? 

– Në Tiranë janë dhënë 390 leje të reja ndërtimi. Janë mbledhur
gjithsej rreth 90 milionë USD nga Taksa e ndërhyrjes në Infrastrukturë.
Ku kanë shkuar këto lekë? Kush është përmirësimi në infrastrukturë që
është bërë me këto 90 milionë USD (ose 90 miliardë lek të vjetra)? Le të
na i numërojë të gjitha ndërhyrjet, bashkë me kostot përkatëse.

– Bashkia sapo ka tenderuar riparimin e 600 metrave Bulevard për
afërsisht 6 milionë Euro. A mund të na i detajojë se çfarë do të blehen
konkretisht në detaje, preventivin me çmimet përkatëse sesi doli në
shifrën 6 milionë Euro? Normalisht riparimi i 600 metrave Bulevard
bashke me ndërhyrjet e tjera në dy mini-sheshet anësore (të vetmet ku
mund të ndërhyet) ka kushtuar në të shkuarën jo më shumë se 300 mijë
Euro. Pse kjo rritje 20-fish?

– Kryetari, në fushatë elektorale, premtoi zero ndërtime në mamdatin e
parë, ndërkohë që deri tani (3 muaj para zgjedhjeve) ka dhënë më shumë
leje se çdokush tjetër në atë post, duke kolapsuar jetën urbane në qytet
si dhe duke dëmtuar financiarisht dhe sociologjikisht, në mënyrë të
pariparueshme, jetët e qindra mijra qytetarëve. A e di që kjo
konsiderohet shpërdorim detyre dhe është vepër penale?

Cili person duhet të përgjigjet penalisht nga administrata aktuale për dëmin që iu është shkaktuar qytetarëve?

Këto, dhe të tjera që për momentin s’më vijnë në mend, janë të vetmet fjali që duhet t’i drejtohen Kryetarit të Bashkisë.

Nëse i thua mashtrues, hajdut, i pafytyrë, i lig, thjesht e shpëton
atë, sepse e çon topin në fushën e tij të preferuar, me armët e tij të
preferuara.

Madje ai, njëlloj si eprori i tij, duke ditur impulsivitetin si
instikt shumë i fortë njerëzor, e bëjnë veten kastile të duken të tillë,
që të tjerët të harrojnë problemet e sipërpërmendura dhe të merren me
ta personalisht. Dhe aty, në atë nivel, ata fitojnë gjithmonë, sepse e
trajtojnë si: -“Ja po flasin këta që na kanë inat ne personalisht, sepse
s’kanë ç’ka thonë për punën tonë. Prandaj na shajnë personalisht.”

E di që është e vështirë që të mbash veten përballë instiktit. Edhe
vetë personalisht, e kam parë veten të bie prè e kurthit të tij, duke u
marrë shpeshherë me Erionin si njeri. E di, ta sjell në majë të hundës
dhe është e vështirë të përmbahesh. Por është gabim. Kështu i bëjmë
veçse nder.

Ku janë lekët, kjo është ajo që duhet të pyesim. Individi Erion është
i nënës dhe gruas së vet, lekët janë tonat. Ne me ato duhet të merremi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re