Po bëhet një orë që nga nisja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit dhe deri më tani janë duke u zhvilluar debate për pakënaqësitë që kanë palët lidhur me mënyrën si janë drejtuar mbledhjet e kaluara.

Debate mes deputetëve dhe anëtarëve kishte lidhur me rregulloren e komisionit dhe zgjedhjen e Sekretarit. Asnjëra nga palët si duket nuk ia lë mangut tjetrës, duke e fajësuar për “dështimin” e tre mbledhjeve, që janë pasuar me debate të forta dhe pa dakordësi.

Debatet në mbledhje:

Bardhyl Kollcaku: Shkelim rregulloren, bëjmë lojëra fjalësh e nuk prodhojmë asgjë, vullneti i shumicës dhe pakicës ka qenë i plotë kur u votua komisioni hetimor ne jemi këtu për të kontribuar në mënyrë shumë serioze, si ka mundësi që të shkelet ligji nuk zgjidhet sekretari? (Ndërhyhet) Mos fol kur flas unë mos fol e ke pasur tre herë në rend dite, nuk të kam ndërprerë, është kërkesa e parë e ligjit, kush është mbledhja e parë sot apo para dhjetë ditësh?

Ku është procesverbali i mbledhjes së kaluar? Ju lutem drejtojeni këtë komision si e ka ligji. Rregullorja jo e miratuar në parim kur kanë qenë shtatë vota pro e shtatë kundër? Apo është vota e kryetarit e numëruar për dy? Ku është parë kjo?

Petrit Vasili: Referimet e ligjit janë shumë të qarta, nëse ka një njeri që nuk kupton që mbledhjet i drejton kryetari dhe me autorizimin e tij e drejton zv kryetari, është problem që s’kemi ku shkojmë më tutje.

S’kemi kohë të përdoret koha e mbledhjes për alibitë e bojkotit që bën mazhoranca nëse ikin është vendimi i tyre politik por nuk vijmë dot këtu që ky vendim politik që ishte i trashë e i gabuar të na e shesin si procedurë.

E zeza mbi të bardhë është thënë, dhe këtu nën pjesën e parë që dëgjuam kishte dhe kamera ndaj ishte goxha e ndezur madje duhej njoftuar që në momentin që ikin kamerat të kthehemi në normalitet. Le ta thonë qartë që nuk duan ta vazhdojnë edhe këtë mbledhje e të vazhdojmë se kemi edhe punë të tjera. Meqë ka pasur një dëshirë të paparë për të pasur vetëpërmbajtje dhe kur përdoren figuracione të caktuara në fjalë që kanë konotacion fyes duhet të evitohen aq më shumë nga ata që predikojnë shumë më shumë për një gjuhë të tillë se vetëpërmbajtja është reciproke.

Alibeaj: Pranoj plotësisht ftesën e zv kryetarit Toni Gogut për tone të qeta, vetëfrenim e për të vendosur në plan të parë interesin e këtij komisioni. Që të ecim një orë e më parë me këtë hetim.

Për pretendimet më bëtë thirrje të mbledh veten, unë jam i mbledhur këtu, kam qenë i mbledhur të treja këto mbledhje por nuk ju mbledh dot juve, nuk ju mblodha dot në 20 tetor që kishin caktuar datën dhe orën, se ikët në mbledhjen e mëparshme, ikët pa arsye, se kishin filluar votimin në parim e kaluam, nuk kam ndonjë fuqi të mbinatyrshme për t’u mbledhur.

Qefalia: Është hera e parë që marr pjesë në komision dhe habitem se pavarësisht përvojës së gjatë që keni, e keni futur këtë komision në ngërç. Duke mos respektuar rregullat dhe përvojën që ka parlamenti në ngritjen e komisionit. Në rastin konkret jeni kryetar komisioni, jeni kryetar edhe për ne, jo vetëm i opozitës.

Alibeaj: Duke mos pasur informacion për mbledhjet ju lejohet të thoni ca gjëra…

Bylykbashi: Komisionet kështu janë ndërtuar, ai që e kërkon ai e drejton komisionin. E kërkon opozita e drejton opozita e kërkon mazhoranca e drejton mazhoranca. Nuk ekziston koncepti që komisioni hetimor drejtohet në kryesi. Ky komision nuk mundet të ndryshojë ligjin me vendimmarrjet e tij.

Bardhi: Kemi një orë që jemi marrë peng dhe nuk vazhdojmë dot përpara. Kemi parashtruar disa kërkesa. Të votojmë sekretarin është pikë e mbartur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re