Skip to content

“Mos i hiq këpucët, të zë korrenti” Nëna e sëmurë rrit dy jetimë në kontenier

Rrugës për në Milot. Udhëtuam në një familje, të cilës nuk i numërohen vuajtjet.

Goditja më e fortë në kraharor erdhi 3 vite më parë, kur i shoqi i Rinës ndërroi jetë tragjikisht, duke u mbytur në lumë. Nëna mbeti e vetme me dy fëmijët, Marion 10 vjeç dhe Marian 8 vjeçe. Jetuan për disa kohë në një shtëpi që ua dhuroi kumbara e fëmijëve. Por vitet e pamundësia ekonomike, bënë që shtëpia të kthehej në të pabanueshme. Lagështira pushtoi dhomat, çdo cep të shtëpisë. E shumë shpejt erdhi sëmundja. Mario 10 vjeçar me astmë. Që në këtë moshë, ky fëmijë, përdor pompa e barna.

Por nuk mbaron me kaq numri i vuajtjeve të kësaj familje. Rina vetë u diagnostifikua disa vite më parë me një sëmundje të rëndë. Sot ajo qëndron në këmbë me sforcon e një nëne, për të mbajtur me ushqim fëmijët e saj të vegjël.

Elvisi e Fatma Naçi udhëtuan drejt kësaj familje, me sprovat e shumta, me dhimbjet të thella. Rina me fëmijët jetojnë në një kontenier të dhuruar nga Kisha, si të vetmen formë për të shpëtuar nga lagështira e përkeqësimi i shëndetit të Marios.