Qepët e kuqe nuk janë vetëm një element bazë në gatim, por ato mund të jenë edhe një mjet i vlefshëm në luftën kundër kancerit.
Shkencëtarët në Universitetin e Guelph në Kanada testuan se cili lloj qepe shfaqte vetitë më të mira kundër kancerit dhe zbuluan se Ruby Ring, një lloj qepe e rritur në Ontario (varieteti klasik i kuq), ka nivelet më të larta të një lloji specifik të flavonoidit, kuercetinës.
Për të testuar efektivitetin e tyre, ekipi i kërkimit i ekspozoi qelizat e kancerit të zorrës së trashë ndaj kuercetinës së nxjerrë nga varieteti Ruby Ring.
“Ne zbuluam se qepët janë të shkëlqyera në vrasjen e qelizave kancerogjene“, tha autori i studimit Abdulmonem Murayyan.
“Qepët, përmes një procesi specifik, i nënshtrojnë qelizat kancerogjene vdekjes qelizore. Ato nxisin një mjedis të pafavorshëm për to dhe prishin komunikimin midis tyre, gjë që parandalon rritjen e tyre. Studimi zbuloi se qepët e kuqe jo vetëm që kanë nivele të larta të kuercetinës, por edhe sasi të larta të antocianinës, e cila pasuron vetitë pastruese të molekulave të kuercetinës”, tha Murayyan.
Antocianina kontribuon ndjeshëm në krijimin e ngjyrave të frutave dhe perimeve, dhe për këtë arsye qepët e kuqe, të cilat kanë ngjyrë më të errët, kanë edhe fuqinë më të madhe antikancerogjene.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se qelizat e qepës ishin po aq të afta sa të vrisnin qelizat e kancerit të gjirit. Për të testuar vërtet potencialin e luftimit të kancerit, hapi tjetër i ekipit do të jenë provat në njerëz.
Çelësi për këtë do të jetë nxjerrja e kuercetinës në sasi të mëdha në mënyrë që të mund të përdoret në mjekësi.