Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është shprehur tepër i shqetësuar për një fatkeqësi të mundshme në stacionin më të madh bërthamor të Evropës në Zaporizhia të Ukrainës, pas bombardimeve në këtë central.

 

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmet. Guterres nuk fajësoi asnjërën palë, por tha se po luhet me zjarrin.

 

ANTONIO GUTERRES

SEKRETARI I PERGJITHSHEM I OKB-së

Çdo sulm ndaj një centrali bërthamor është një vetëvrasje. Shpresoj që ato sulme të marrin fund dhe në të njëjtën kohë shpresoj që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike do të jetë në gjendje të hyjë në termocentral.

 

Guterres i bëri këto komente gjatë vizitës që zhvilloi në Japoni në Hiroshima, ku mbajti fjalim në 77-vjetorin e sulmit të parë me bombë bërthamore në botë. Edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar nga bombardimi i të premtes ndaj termocentralit bërthamor.

 

Sulmin e dënoi edhe presidenti Zelenski, i cili tha se Moska po përpiqet të përhapë terror nuklear dhe bëri thirrje për shtimin e sanksioneve.

 

Po pavarësisht luftimeve në lindje, nga portet e Ukrainës vijon transporti i grurit, dy anije të tjera me misër dhe sojë kanë dalë nga portet duke e çuar në dhjetë totalin e tyre që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes.

 

Anija Sakura, po transporton 11,000 ton sojë në Itali, ndërsa Arizona rreth 48,000 ton misër në Turqinë jugore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re