Kryetari i lëvizjes më të re politike “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, këtë të shtunë, zhvilloi një takim me banorët e Pogradecit. Ndërsa ngriti shqetësime për shumë çështje, edhe njëherë Adriatik Lapaj propozoi që vjedhja e zyrtarëve të lartë, që ndikon drejtpërdrejtë te qytetarët, të dënohet me deri në 20 vite burg dhe të cilësohet “tradhti kombëtare”.

“Nuk ka ilaçe. Frikë për çfarë? Për të thënë që prindërit tanë marrin nga 180 mijë lekë të vjetra pension? Frikë për të dalë dhe për të thënë se vuajnë nga probleme dëgjimi? Frikë për të thënë se mungojnë faktorët 8 dhe 9 për hemofilikët?

Frikë për të thënë se vazhdojnë dhe ikin të rinjtë me gomone dhe kamionë, në 2023? Frikë për të thënë se në mëngjes u bëhet kontrolle punonjësve të administratës se sa ‘like’ dhe ‘share’ kanë bërë? Janë turpe dhe ne nuk duhet të kemi frikë.

Jemi në këtë rrugë sepse besojmë se Shqipëria bëhet. Bëhet duke mos u vjedhur nga ata që ne u besojmë fatet tona. Bëhet Shqipëria, bëhet duke ndëshkuar rëndë ata që guxojnë të tallen me besimin tonë.

Vjedhja e zyrtarëve të shtetit duhet të konsiderohet tradhti dhe të dënohet me 20 vite burg. Sepse nuk shkon të vjedhësh 30 milionë euro dhe të shkosh jashtë të kërkosh azil.

Pse është tradhti kombëtare korrupsioni i zyrtarëve të lartë? Është krim i rëndë të vjedhësh ilaçet e fëmijëve, të vjedhësh paratë e rrugëve, paratë e që do shkonin për nënat me fëmijët jetim, për dëshmorët. Bëhet Shqipëri, por duhet vendosmëri”, tha Lapaj.

Më tej, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos rendin pas individëve dhe kryetarëve, pro pas parimit dhe ligjeve.

“Dëgjoj të thonë “E mo se të gjithë njësoj janë”. Jo nuk janë, sepse pengmarrësit me të marrët peng nuk janë njësoj. Nuk janë njësoj ata që tallen dhe nuk i numërojnë lekët, por i peshojnë me ata që fëmijët e tyre ikin me gomone. Ka pengmarrës dhe një popull të marrë peng. Ka hajdutë dhe të vjedhur. Nuk ka më të majtë e djathtë, se kjo i mori më qafë shqiptarët. Ndaj nuk është bërë Shqipëria.

Me të drejtë ju do të thoni, si do e ndryshoni? Mos besoni te ne, por te ligji dhe rregullat, që vendosin kontrollin mbi të zgjedhurin e tyre. Mos vraponi pas individëve, pas kryetarëve, por pas parimeve dhe rregullave.

Të dashur miq është sa e lehtë dhe e vështirë kjo që po bëj. Nuk ka forcë më të madhe sesa ndershmëria, por është e vështirë sepse kanë trembur të gjithë. Presionin në jetët tuaja, ndaj duhet t’i shporrim.

Ju të gjithë këtu, nga sot jeni misionarë të “Shqipërisë që Bëhet” në Pogradec. Të bashkoheni rreth parimeve rreth individëve, për të hapur garën, për të udhëhequr. Duke votuar më të mirët në politikë thyhen kalçifikimet të krijuara në këto 32 vite. Emërimet e kryetarëve ku shokët, miqtë e shokëve dhe të afërmit e bizneseve për t’i futur në Kuvend, për të votuar pro.

Duhet të bëhemi bashkë për ligjin për referendumet, është i vetmi instrument për të zhbërë vendimmarrjet korruptive pa u bërë dëmi. Vendimmarrje e politikës nuk kontrollohen nga ju, jemi garniturë e një qeverie fasadë që nuk ekziston.

Kërkojmë votën e emigrantëve, sepse kontribuojnë në këtë vend. Mbajnë familjet  prej 32 vitesh. Duke u dhënë votën atyre, nuk presionohem”, tha Lapaj.

“Mos na lini vetëm”, ishte thirrja e tij e fundit ndërsa njoftoi se takimin e radhës do ta zhvillojnë më 14 tetor në Tropojë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re