Biznesmeni Mirel Mërtiri i ka nisur një letër bankave të nivelit të dytë në vendin tonë, të cilave iu kërkon që të mos japin informacione konfidenciale që lidhen me të, të cilat janë kërkuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për inceneratorët.

Sipas Mërtirit Gjykata Kushtetuese e thotë qartë se nuk mund të cënohen të dhënat personale të individëve, dhe në çdo rast hetimi duhet të prevalojë e drejta e jetës private të individit.

Biznesmeni shkruan në letër se Bankat nuk janë institucione, por entitete private dhe informacionet dhe dokumentet bankare nuk janë dokumente zyrtare, por dokumente të lëshuara nga një entitet privat. Banka ka detyrim të rreptë konfidencialiteti në kuadër të marrëdhënies bankë-klient.

“Komisioni Hetimor nuk hyn në asnjë rast në radhën e këtyre autoriteteve juridike që e fitojnë këtë të drejtë me ligj. Rrjedhimisht, shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar që t’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të Nenit 91 të Ligjit 9662, përbën kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Sa më sipër, i kërkoj Bankës Suaj, dhe çdo përfaqësuesi, menaxheri, punonjësi, etj. të saj, që të mos përcjellë, shpërndajë, vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor informacione të tilla, apo të kryejë veprime të tjera të ngjashme të cilat shkelin haptazi detyrimet ligjore të Bankës, si më sipër shpjeguar”, thuhet mes të tjerave në letrën që Mërtiri iu ka dërguar bankave.

LETRA E PLOTË E MËRTIRIT:

Në lidhje me kërkesën drejtuar bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për informacion, nga disa anëtarë të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane” të Kuvendit të Shqipërisë, sipas raportimeve në media.

Të nderuar Zonja/Zotërinj,

Siç mund të jeni në dijeni, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë është ngritur komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane”

Aktualisht jam vënë në dijeni nga raportimet në media se disa anëtarë të Komisionit Hetimor, pjesë e opozitës parlamentare, ndër të tjera, kanë kërkuar ose do t’u kërkojnë bankave të nivelit të dytënë Republikën e Shqipërisë informacione ku kërkojnë vënien në dispozicion të ekstrakteve të llogarive të mia bankare (bank statements) pranë jush.

Në lidhje me njëKërkesë të tillë, dëshiroj t’ju informoj dhe t’ju  sjell në vëmendje se:

Individët dhe informacioni në lidhje me ta, nuk përbën objekt të veprimtarisë së Komisionit Hetimor

Veprimet e Komisionit Hetimor rregullohen nga Ligji Nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore tëKuvendit” (“Ligji 8891”).

Neni 4 i Ligjit 8891përcakton që komisionet hetimore të Kuvendit funksionojnë konform parimeve kushtetuese, siç është interpretuar tashmë në mënyrë ezauruese nga Gjykata Kushtetuese nëVendimin e saj nr.18, datë 14.05.2003 (“V 18/03”). Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrja e informacioneve apo të dhënave në lidhje me çështje private të individëve përbënnjë shkelje të të drejtave kushtetuese të individit, të sanksionuara edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe për këto shkaqe, hetimi duhet të priret nga mosndërhyrja në jetën private të individit.

Komisioni nuk mund të kërkojë informacione konfidenciale

Kërkesa për marrje informacioni nga Bankat, është mbështetur në Nenin 14 germa “b”, e Ligjit 8891, qëthekson se një komision hetimor kërkon nga titullarët e institucioneve informacione ose dokumente zyrtare. Sic shprehet edhe Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj V 18/03, Komisioni Hetimor është një instrument kontrolli politik dhe hetimi shtrihet mbi ekzekutivin, por jo mbi individët dhe jetën e tyre private dhe të dhënat personale.

Siç është e qartë për të gjithë, Bankat nuk janë institucione, por entitete private dhe informacionet dhe dokumentet bankare nuk janë dokumente zyrtare, por dokumente të lëshuara nga një entitet privat, i rregulluar me ligj të veçanta, qa ka detyrimin strikt të konfidencialitetit dhe i nënshtrohet Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar (“Ligji 9887”).

Për rrjedhojë, Neni 14, germa “b” e Ligjit 8891, nuk e autorizon Komisionin Hetimor të kërkojë informacione apo dokumente jo zyrtare nga Banka juaj, nje entitet privat, për më tepër i rregulluar dhe i nënshtruar rregullimeve të posaçme ligjore.

Neni 15,paragrafi 1 i Ligjit 8891, thekson shprehimisht që të dhënat që mbledh një komision hetimor mund të jenë zyrtare dhe jo zyrtare, por që njihen publikisht. Pra, Ligji 8891 i ka hequr Komisionit Hetimor të drejtën për të kërkuar informacione konfidenciale!

Banka ka detyrim të rreptë konfidencialiteti në kuadër të marrëdhënies bankë-klient

Në vijim të sa më sipër, dëshiroj t’ju sjell në vëmendjen tuaj se Neni 17 i Ligjit 8891 qartazi shprehet që Komisioni administron dokumente zyrtare. Organet kompetente që i disponojne këto të dhëna zyrtare janë të detyruara t’ia percjellin zyrtarisht Komisionit Hetimor. Pra, detyrimi bie vetëm mbi organet administrative shtetërore dhe jo entitetet private, si Banka juaj, të cilat e kanë të ndaluara me ligj.

Konkretisht, detyrimi i Bankës për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve përbën detyrim thelbësor për të, në përputhje me nenet 91, 124 dhe 125 të Ligjit Nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (“Ligji 9662”).

Sipas Nenit 91, paragrafi 2 i Ligjit 9662, Banka është e detyruar që të ndajë informacione konfidenciale apo të dhëna personale në kuptim të Ligjit 9887, vetëm tek autoritetet gjyqësore dhe të ndjekjes penale sipas Kodit të Procedurës Penale apo autoriteteve të tjera rregullatore ose agjencive ligjzbatuese sipas legjislacionit të posaçëm që rregullon atë veprimtari.

Komisioni Hetimor nuk hyn në asnjë rast në rradhën e këtyre autoriteteve juridike që e fitojnë këtë të drejtë me ligj. Rrjedhimisht, shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar qët’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të Nenit 91 të Ligjit 9662, përbën kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe duke u lutur për sjelljen tuaj në respekt të kuadrit ligjor të mësipër, dëshiroj të përmbledh në përfundim, se nenet 14, 15, 17të Ligjit 8891, ndalojnë Komisionin Hetimor të kërkojë të dhëna, informacione ose dokumente:

(i) nga entitet private;

(ii) të cilat janë konfidenciale dhe/ose përmbajnë të dhëna personale ose sensitive.

Sa më sipër, i kërkoj BankësSuaj, dhe çdo përfaqësuesi, menaxheri, punonjësi, etj. të saj, që të mos përcjellë, shpërndajë, vëndosë në dispozicion të Komisionit Hetimor informacione të tilla, apo të kryejë veprime të tjera të ngjashme të cilat shkelin haptazidetyrimet ligjore të Bankës, si më sipër shpjeguar.

Ju falenderoj paraprakisht për bashkëpunimin,

Sinqerisht,

Mirel Mërtiri

Kujtojmë se disa ditë më parë Komisioni Hetimor për incineratorët ka dërguar 12 kërkesa për hetimin e koncesioneve për inceneratorët.

Kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku i ka dërguar kërkesat që nga Këshilli i Ministrave, Ministritë e Financave, Ministrinë e Mjedisit, atë të Infrastrukturës e Mjedisit, te Kontrolli i Lartë i Shtetit, bashkitë ku veprojnë incineratorët, përfshirë bashkitë e Durrësit dhe Kavajës, disa drejtori për lëvizjet e parave për incineratorët, lëvizjet e disa zyrtarëve me administratorët e incineratorëve, lidhjet e mëparshme të biznesit mes pronarëve të kompanive përfituese dhe ministrave të qeverisë së Edi Ramës.

Kërkesa u janë drejtuar edhe bankave të nivelit të dytë, si dhe vetë kompanive përfituese të incineratorëve duke u përqëndruar te 3 persona: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stella Gugallja.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re