Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një dalje për gazetarët, u shpreh se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, do të miratohet fondi për rimbursimin e ilaçeve për personat që trajtohen në banesë.

Manastirliu njoftoi dhe njësimin e protokolleve për mjekët e familjes, që do të jenë dhe personat që vendosin për mjekimin e pacientëve në kushtet e shtëpisë.

“Qytetarë ju lutem, duhet të drejtoheni vetëm te mjeku i familjes, dhe vetëm mjeku i familjes e di nëse duhet ti drejtoheni një specialisti, nuk e dinë as të afërmit, as recetat në whatsup, sepse dëmtojnë shëndetin në radhë të parë, dhe në radhë të dytë dëmtojnë buxhetin e familjes. Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pritet që të kalojë paketa për rimbursimin e ilaçeve të Covid për të gjithë personat e prekur që trajtohen në banesë”, tha Manastirliu.

Ndërkohë që sipas saj të gjithë mjekët e familjes janë të trajnuar tashmë për trajtimin e rasteve të pacientëve me Covid.

Thirrjen për të shmangur vetëmjekimin e ka bërë dhe mjeku Tritan Kalo, i cili theksoi se duhet të jenë vetëm mjekët ata që japin receta, dhe ato duhetr të studiohen nga rasti në rast. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re