Ndërsa eksportuesit janë në pritje të një normalizimi të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë shpjegon për ta se tregu valutor po funksionon normalisht.

 

Për shkak se tregu po i përgjigjet kërkesë-ofertës, Guvernatori Gent Sejko, në një letër drejtuar shoqatave eksportuese, përsërit se nuk do të ndërhyjë.

 

GENT SEJKO

 

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Gjej me vend të theksoj se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative. Kjo sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. Sa më sipër, në gjykimin tonë, trendi forcues i kursit të këmbimit shpjegohet nga përmirësimet strukturore në sektorin real dhe financiar te ekonomisë shqiptare. Për keto arsye, forcimi i kursit duket se është, në tërësi, një shenjë e progresit të bërë nga ekonomia shqiptare në drejtim të rritjes së bazës dhe vëllimit të eksporteve, dhe jo premisë e dëmtimit të konkurrueshmërisë së tyre.”

 

Forcimi i lekut përballë euros ka dhënë efekte pozitive në ekonominë shqiptare, sipas Bankës së Shqipërisë. Falë kursit aktual të këmbimit, sipas Sejkos, inflacioni është më i ulët dhe kostot e financimit për bizneset dhe familjet shqiptare nuk janë agresive.

 

GENT SEJKO

 

GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE

 

“Vlerësimet tona sugjerojne se, ne mungesë të forcimit te kursit gjatë dy viteve të fundit:

 

Norma e inflacionit do të arrinte nivelin 9.2% në tremujorin e fundit te vitit 2022, nga 7.5% që ka rezultuar vlera faktike. Niveli me i lartë i inflacionit do të diktonte një normalizim më agresiv te qëndrimit të politikes monetare nga ai që ka ndërmarre Banka e Shqiperise, duke rritur me tej normën e interesit, rrjedhimisht edhe kostot e financimit për bizneset dhe familjet shqiptare. Në keto rrethana, inflacioni më i lartë dhe kushtet me të shtrënguara te financimit do të kishin një ndikim frenues mbi aktivitetin ekonomik.”

 

Edhe një herë tjetër, Banka e Shqipërisë është e gatshme të ofrojë trajnime për bizneset eksportuese për të lidhur kontratat në avancë, që të shmangin lëvizjet e forta të kursit të këmbimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re