Kryeministri Edi Rama ka nisur pasditen e së mërkurës një komunikim publik me qytetarët përmes Facebook-ut.

Kreu i qeverisë ka marrë një sërë pyetjesh nga qytetarët dhe u është përgjigjet atyre “live” në rrjetin social.

Ndërsa pyetej për procesin e vaksinimit, Rama bëri të ditur se në formularin që do t’i shkojë çdo familjeje shqiptare do të jetë si pyetje edhe vendosja e certifikatës së vaksinimit, për të aksesuar hapësira të mbyllura apo për të marrë pjesë në tubime të mëdha.

Ndërsa përmendte këto të fundit, kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe krizën në Partinë Demokratike. “Kohëve të fundit kemi tubime për brava, për çelësa, kamerdare”, tha ai.

Një nga problemet që nxori në pah publikimi i pagave, ishte mos deklarimi i plotë i rrogave dhe për këtë kryeministri Edi Rama ka propozuar një zgjidhje.

Ai tha se ai që denoncon do të marrë një garanci financiare, por në fund do të jetë qytetari ai që do të thotë fjalën e fundit ne formularin e ‘Këshillimit Publik’.

“Ai që denoncon se merr pagën minimale, ndërkohë që duhet ta marrë të plotë, do t’i jepet garanci financiare, që nëse humbet vendin e punës për shkak të denoncimit, do të marrë dëmshpërblim financiar. Nëse kjo është që të bëhet, ky është mendimi i shumicës, që një pjesë e taksave të tyre të përdoret për të bërë drejtësi”, tha Rama.

Ndërsa, i pyetur rreth krizës energjitike në Kosovë, Rama tha se me të njëjtën krizë po përballet edhe Shqipëria, por shtoi ai, pa e lënë të “rrëshqasë në kurriz të familjarëve apo bizneseve.”

Kurse, pyetjet e bëra rreth situatës aktuale në PD, kryeministri i shmangi duke thënë se duhet të kursejmë kohën.

“Ta kursejmë kohën, situata në seriozitetin e vet është qesharake, opozita e zënë në kurthin e një kacafytje mes një kufome grata dhe një non-grata”, tha Rama.

Ndërsa bëri të ditur se synohet që pensionet të rriten brenda mandatit të tretë dhe se këtë vit do të mbyllen sportelet për t’i kaluar shërbimet në e-albania, Rama tha po ashtu se edhe çështja e “Open Balkan” do të jetë e shtruar në formularë.

“Open Balkan është në formularin që mund të aksesohet online nga qytetarët për të dhënë opinionin e tyre, opinionet kërkohen në funksion të dëshirës tonë për të dëgjuar se çfarë mendojnë shqiptarët pavarësisht bindjeve të tyre. Ne harxhojmë orë për t’u marrë me politikë, të shohim mundësinë për t’u marrë me problemet reale që kemi”, u shpreh Rama.

Pyetjes së bërë nga një qytetar për “Emaar Group” dhe akuzat për përfshirje të kryedemokratit Lulzim Basha në projektin e portit të Durrësit, Rama iu përgjigj kështu:

“E para, Emaar Group është një nga më të mëdhenjtë e botës dhe s’ka nevojë të vijë në Shqipëri përveçse për të bërë një projekt të madh. Duke siguruar bazat ligjore të një investimi gjigant. Një investim i tillë, i madh, jo në një HEC apo pus nafte, por në industri si turizmi sjell përshkallëzim eksponencial të investimeve të kësaj natyre, përbëjnë një bazë për të bërë një kapërcim epokal, ekonomik e social. Në varësi nga klima, jam besimplotë, dhe një sërë idesh të tjera do të mund të vihen në një fazë më të avancuar për t’u realizuar.”

Një prej pyetjeve kishte të bënte me rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit.

Rama tha se të dhënat që janë marrë nga konsumi i fundvitit janë të dhënat më të hatashme në krahasim me të gjitha vitet me radhë, pra konsumi më i lartë në fundvit. Ai theksoi se çmimet i vendos tregu dhe jo qeveria.

“Së pari të dhënat që kemi marrë nga konsumi i fundvitit janë të dhënat më të hatashme, krahasuar jo me vitin e shkuar, por me të gjitha vitet me radhë. Kemi konsumin më të lartë në aspektin e parave të investuara në fundvit për të blerë. Çmimet nuk i vendos qeveria. Jemi në një sistem tjetër ku çmimet i vendos tregu. Qeveria mund të ndërhyjë kur bëhet fjalë për çmimin e energjisë, kurse çmimin e konsumit të përditshëm në treg e vendos tregu. Natyrisht tregu ka një logjikë të vetën në vendosjen e çmimeve, që do të thotë ka treg”, deklaroi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re