Skip to content

Mosdekretimi i buxhetit faktik të 2020/ Meta ‘nxin’ qeverinë: Paratë nuk u përdorën për pandeminë, shkelje të shumta, është paguar 10-fishi i deklaruar në arbitrazhe

Presidenti Ilir Meta ka publikuar një deklaratë lidhur me mosdekretimin e “Buxhetit 2020”. Në lidhje me mosdekretimin e këtij buxheti Meta thekson se pas shqyrtimit nga Këshilli i Lartë Shtretëror, kishte vërejtur probleme të shumta në planifikimin financiar dhe në zbatimin e bërë.

Në dokument vërehen problematika të shumta, pasi nuk u adresuan problemet e sjella nga pandemia dhe si rrjedhojë u ulën të ardhurat për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu shënohet se vendi ynë ka pasur fondin më të ulët të posaçëm për pandeminë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ndërsa përsa i përket parave të planifikuara për t’u përdorur për pandeminë, në raport thuhet se një përqindje e lartë e tyre shkuan për rindërtimin.

Shkelje të tjera vërehen në pikën 8 të raportit ku raportohet se vendi ynë ka paguar për vendimet e arbitrazhit 10-fishin e buxhetit të deklaruar:

VIII- Në dokument nënvizohet se: “gjatë vitit 2020, KM ka miratuar ne lidhje me vendimet e GJEDNJ-së, një vlerë totale prej 3.78 milion lekë, dhe se vlera totale e vendimeve të Gjykatës së Arbitrazhit të paguara nga buxheti i shtetit rezultoi në masën rreth 33.3 milion lekë’’.

Në realitet në dokument mungon një informacion i plotë i të gjitha detyrimeve nga vendimet që janë marrë nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut dhe nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Njëkohësisht mungon një analize e riskut për detyrimet potenciale që mund të merren nga këto institucione për procese të tjera në gjykim.

Deklarata e Plotë nga Presidenti Ilir Meta:

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mbi mosdekretimin me shpallje të ligjit nr. 105/2021 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”.

Në seancën plenare të datës 28 tetor 2021, Kuvendi i Shqipërise ka miratuar ligjin nr. 105/2021 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”, ligj të cilin i’a ka përcjellë Presidentit të Republikës për shpallje.

Qëllimi i ligjit është miratimi i buxhetit faktik të qeverisjes së përgjithshme të vitit 2020.

Objektivi që synohet është plotësimi i kërkesës ligjore (të neneve 62 e 63, të ligjit nr.9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar) për raportimin e zbatimit të buxhetit të vitit 2020, të llogarive vjetore për transaksionet financiare të entiteteve të qeverisjes së përgjithshme (qeverisjes qendrore, vendore dhe fondeve speciale të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të trajtimit të pronave) dhe informimin për arritjen e objektivave, situatën e menaxhimit, të kontrollit të brendshëm financiar dhe auditimit të brendshëm.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së këtij ligji, në raport me dokumente dhe të dhëna të tjera zyrtare mbi zbatimin e buxhetit të shtetit (2020), veçanërisht konstatimet nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e tij, Presidenti i Republikës, sjell në vëmendje të Kuvendit, si dhe vë në dijeni edhe qytetarët mbi disa problematika të theksuara, që lidhen me planifikimin dhe zbatimin buxhetor.
Ligji nr. 105/2021 miraton buxhetin faktik të vitin 2020, dhe rrjedhimisht kthimi i këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend, nuk do të përbënte ndonjë ndryshim thelbësor.

Për këtë arsye, Presidenti i Republikës ka vlerësuar ta lërë në heshtje këtë ligj, por duke kërkuar vëmendjen e Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.

Në dokument nënvizohet se; “buxheti i vitit 2020 u ndryshua me 4 akte normative të Këshillit të Ministrave, të cilat kishin qëllim zbutjen e efekteve ekonomike e sociale të pandemisë shëndetësore COVID-19, duke siguruar mbështetje për sektorin e shëndetësisë, shtresat në nevojë, personat e larguar nga puna në biznese etj”.

Pavarësisht ndryshimeve me aktet normative, mbështetja me qëllim zbutjen e efekteve ekonomike e sociale të pandemisë COVID -19, mbështetja buxhetore e drejtpërdrejtë e Shqipërisë e alokuar, ishte më e ulta në nivel rajonal dhe global.

Sipas raportit të FMN mbështetja direkte buxhetore për pandeminë në Shqipëri është rreth 19 miliard lekë ose 1.2% e PBB (përfshi dhe shumën 2 miliard lekë të Ministrisë së Mbrojtjes e cila është anuluar).

Në fakt analiza më e detajuar tregon se mbështetja fiskale për të adresuar efektet negative të pandemisë është me e ulët në rreth 16.6 miliard lekë ose 1.05% e PBB.
Ndërsa kjo mbështetje në vëndet e rajonit është mesatarisht 5.3% e PBB dhe konkretisht:

– Maqedonia 2.0%,
– Bosnja 5.2%,
– Kosova 5.6%,
– Serbia 5.6%,
– dhe Mali i Zi 8%).

Pra rezulton se Shqipëria ka dhënë mbështetjen fiskale më të ulët për të adresuar efektet negative të pandemisë në rreth ose 1.05% e PBB.

Në vazhdim nga raporti i FMN deri në muajin Tetor 2021,evidentohet se mbështetja buxhetore direkte për pandeminë për Shqipërinë vazhdon të jetë më e ulta në rajon dhe krahasuar në nivel global.

-Shqipëria ka alokuar 2.3% të PBB për pandeminë; ndërsa

-Bosnja 4.3%;
-Maqedonia 5.0%;
-Mali i Zi 7.6%;
-Serbia 12.2%; dhe
-Kosova 12.3%.

Ndërkohë që, mersatarja në nivel global është 10.2% të PBB.

II. Në dokument nënvizohet “se ndryshimet ne aktet normative kishin per qellim kryesor zbutjen e efekteve te pandemisë”.

Në realitet ndryshimet në aktet normative në shumicën e rasteve nuk adresuan problemet për lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por adresuan uljen e parashikimit të të ardhurave dhe rritjen e investimeve kryesisht për rindërtimi.

Mbështetja për lehtësimin e masave ndaj pandemisë ishte vetëm 16.6 miliard lekë ose 1.05% e PBB, ndërsa rritja e shpenzimeve kapitale dhe kryesisht për rindërtimin në rreth 30.2 miliard leke ose 1.9% e PBB.

Akti Normativ Nr.6 datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”, reflektoi reduktimin në masën 20 miliardë lekë, të zërit “Të ardhura tatimore”, reflektoi rritjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në masën 9 miliardë lekë ku, përfshirë edhe rialokimet e brendshme për masat Anti-Covid 19 duke arritur në 12 miliardë lekë, dhe reflektoi rritjen e deficitit dhe të borxhit.

Akti Normativ Nr.15 datë 15.04.2020 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020, i ndryshuar”, reflektoi alokimin e shpenzimeve në masën 7 miliardë lekë për financimit të masave të reja me karakter social në funksion të lehtësimit dhe mbështetjes së punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proceseve të punës në shkallë vendi, si për biznesin e madh ashtu edhe për pjesën e mbetur të biznesit të vogël.

Akti Normativ Nr.28 datë 02.07.2020 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020, i ndryshuar”, reflektoi përsëri uljen e parshikimit të të ardhurave, rritjen e investimve për rreth 30.2 miliard lekë, si dhe rritjen e deficit dhe të borxhit

Akti Normativ Nr.34 datë 16.12.2020 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020, i ndryshuar”, reflektoi financimin e shpërblimit të fundvitit për kategorinë e pensionistëve prej 3.4 miliardë lekë, shtesën për 1 miliard lekë për financimin e skemës së ndihmës ekonomike & paaftësisë.

/faxweb