Nëse dje skuadra e parë ishte në një ditë pushimi në Kategorinë e Parë ato që kanë luajtur janë ekipet e moshave të Tomorit. Tomori U17 dhe U19 kanë zhvilluar një përballje dyshe në Lushnje kundra skuadrave vendase të U17 dhe U19. Fatkeqësisht për beratasit përfundimi ka qënë i njëjtë, dy humbje.
Për skuadrën e Lushnjes U17 ka qënë shumë e thjeshtë përballë paratërinjve tanë që vazhdojnë të mos e gjejnë pikën e parë të sezonit. Edhe pas ndërrimit të stolit ku trajneri Bledar Fatia i la vendin Kelmend Agalliu, trajner i kësaj skuadre edhe sezonin e shkuar sërish Tomori U17 nuk po gjen veten. Për vendasit goli i parë vjen nga Gjyla në minutën e 8’ dhe brenda kësaj pjese është Zeqari ai që dyfishon shifrat.
Në fraksionin e dytë lushnjarët e vegjël shënojnë edhe tre herë të tjera me Vrapin, Memën dhe Hjadarin për të plotësuar ‘’manitën’’ e tyre ndaj Tomorit.
Ka qënë më e luftuar dhe me më shumë emocione sfida e skuadrave U19 mes Lushnjes dhe Tomorit. Ademi dhe Hila brenda 8 minutave të para shënojnë dy herë ndërsa përgjigja e Tomorit vjen me Ruçin në minutën e 31’. Por deri në fundin e kësaj pjese shënojnë edhe Sula për vendasit dhe Qengji për beratasit.
Me fillimin e pjesës së dytë Zogaj barazon për herë të parë takimin. Por vetëm në fund është Ademi ai që hapi serinë e golave që shënon edhe të fundit. I shtati në këtë ndeshje dhe i katërti për Lushnjen duke u dhënë një fitore të rëndësishme vendasve. Pavarsisht kësaj humbje Tomori vazhdon të pozicionohet i pari në grupin B të Kategorisë së Parë./Berati.TV
Kategoria e Parë, grupi B U17
Lushnja 5-0 Tomori
Shënues: Gjyla 8’, Zeqari 25’, Vrapi 49’, Mema 65’, Hajdari 69’
Kategoria e Parë, grupi B U19
Lushnja 4-3 Tomori
Shënues: Ademi 5’, 86’, Hila 8’, Sula 33’/ Ruçi 31’, Qengji 45’, Zogaj 54’
