Këtë fundjavë në fushë bashkë me skuadrën e parë të Tomorit kanë zbritur edhe skuadrat e moshave që gjithashtu luanin në transferta. Madje as rezultatet e tyre nuk kanë shkuar më mirë se ato të skuadrës së parë duke pësuar dy humbje të thella.

Tomori U19 luante në transfertë ndaj Dinamos skuadër që gjendet në mesin e tabelës dhe pas pjesës së parë të mbyllur në barazim pa gola në pjesën e dytë pëson katër të tillë.

Për të rinjtë dinamovitë është Marinaj që shënon dy herë ndërsa në fund janë Shima dhe Lami, ky i fundit nga pika e bardhë që vulosin ‘’pokerin’’ blu ndaj Tomorit.

Me këtë humbje Tomori mbetet i fundit në grupin B të Kategorisë Superiore dhe Elbasani që është skuadra më e afërt gjendet 6 pikë larg duke ia vështirësuar objektivin e qëndrimit në këtë Kategori.

Ka shkuar edhe më keq ndeshja e skuadrës U17 të Tomorit që kanë pësuar pesë gola në transfertë ndaj Durrësi 04. Që në fraksionin e parë durrësakët shënojnë tre herë për ta vulosur këtë sfidë që në këtë pjesë. Është fillimisht Lleshi dhe më pas dopieta e Merditës që vendosin fitoren.

Por nuk shkojnë më mirë gjërat as në pjesën e dytë  kur paratërinjtë e Tomorit jo vetëm nuk shënojnë por pësojnë edhe dy gola të tjerë këtë herë me Hidrin.

Tomori mbetet i shtati në klasifikim pas asnjë objektiv deri në fundin e sezonit./Berati.TV

Kategoria Superiore U19

Dinamo 4-0 Tomori

Shënues: Marinaj 61’, 67’, Shima 80’, Lami 82’(pen)

Kategoria e Parë U17

Durrësi 04  5-0 Tomori

Shënues: Lleshi 24’, Merdita 43’, 45’, Hidri 66’, 67’

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re