Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova sot tha se SHBA-ja dhe Franca kanë dështuar të jenë “ndërmjetësues të ndershëm” në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve armeno-azerbajxhanase, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Zakharova tha se komentet e fundit nga zyrtarët amerikanë dhe francezë, duke fajësuar Rusinë për ngritjen e një postblloku kufitar azerbajxhanase në korridorin Laçin, që lidh Armeninë dhe Karabakun, tregojnë se motivet e tyre reale në Kaukazin e Jugut kishin për qëllim minimin e pozitës së Rusisë në rajon.
“Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, në veçanti Franca, u pozicionuan si ‘ndërmjetës të ndershëm’ në procesin e normalizimit armeno-azerbajxhanas. Shihet se ata janë duke dështuar. Përpjekjet e kolegëve francezë dhe amerikanë për t’i bindur se udhëhiqen vetëm nga interesat për arritjen e paqes në Kaukazin e Jugut bien në kundërshtim me sulmet e tyre të rregullta anti-ruse”, tha ajo.
Pika e re e kontrollit është funksionale që nga e diela në rrugën Laçin-Khankendi (korridori Laçin), një rrugë që Armenia e ka përdorur për të hyrë në rajonin e Karabakut.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike ishin të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Karabakun, i cili ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone ngjitur.
Pjesa më e madhe e territorit u çlirua nga Baku gjatë luftimeve në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia që i hapi derën e normalizimit.
Burimi: AA