Kur kryetari i PAA-së Agron Duka komentoi befas në Facebook fitoren e Edi Ramës duke dalë nga rreshti opozitar, shumëkush  brenda opozitës hamendësoi për shumëçka.

Se tani që mori mandatin po flirton në kampin tjetër, se nuk  solli rezultatin e pritshëm në Durrës dhe për pasojë i takonte të heshte, se po vërteton pakënaqësinë e demokratëve në struktura se Basha nuk duhej tu siguronte karrigen e sigurt aleatëve pa meritë etj., etj… Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Qëndrimi i Dukës në fakt lidhej me disa biseda jo zyrtare që ata (aleatët) kanë zhvilluar me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve duke hedhur në tavolinë edhe opsionin e mos pjesëmarrjes në Kuvendin e ri në Shtator.

Agron Duke sa duket ka ndarë shapin nga sheqeri.

Përmes një postimi në Facebook ai njohu fitoren e Ramës dhe u kujdes të thoshte veçanërisht se ai kish qenë kundër djegies së mandateve duke i sjelle kosto opozitës. Duka, për pasojë, paralajmëroi se nuk do ta bënte më një gabim të tillë.

Dhe ja ku vijmë tek thelbi i problemit. Në mungesë të një qëndrimi të qartë të së vetmes deklaratë që dha para mediave Lulzim Basha mbi zgjedhjet që nuk tha as i njeh apo nuk i njeh, që nuk përcaktoi rrugën politike te opozitës se çfarë do të bëjë në vijim, që nuk qartësoi se cili do të jetë qëndrimi në mbyllje të rezultatit, çfarë do t’i kërkojë konkretisht KQZ-së lidhur me fletët e pavlefshme….Fundja a kishte ai një plan “b” për PD-në nëse e dinte se vota ishte blerë pa u futur ende në kutinë e votimit, në PD ka nisur disa rryma diskutimi.

Të kontaktuar nga gazeta “Si” e vetmja devize që ata thonë se po ravijëzohet është mos njohja e këtyre zgjedhjeve. Por se çfarë do të thotë kjo, cilat do të jenë vendimet që e pasojnë, asnjë nuk di të përgjigjet.

Të gjithë opsionet mbeten të hapura duke dhënë të vetmen përgjigje të volitshme se ka kohë për të vendosur edhe për mandatet deri në muajin Shtator.

Paralelisht përmes disa postimesh në Facebook, Agron Shehaj që mori mbështetje të konsiderueshme në Tiranë duke punuar fort për emrin e tij në njësinë 5 dhe 7 është shprehur se do të mbroje interesat e qytetarëve në Kuvend.

Edhe Dashamir Shehi ka folur për pjesëmarrje në Kuvend. Oerd Bylykbashi gjithashtu është shprehur se do të përfaqësojë zërin e qytetarëve durrsakë në Kuvendin e ri.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh me PD-në kanë filluar edhe takimet e ndërkombëtarëve në selinë blu.

E hëna ishte fillimi i takimeve me kryetarin e demokratëve Lulzim Basha, qysh pas përfundimit të zgjedhjeve.

Fillimisht shefja e Misionit të OSBE-ODHJR dhe më pas ambasadori italian në vendin tonë.

Pas takimeve, Basha (i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi) tha vetëm një fjali të përgjithshme për mediat e njëjtë si ajo e 27 prillit se beteja për fitore do të vazhdojë deri në fund.

Një qëndrim të paqartë kanë edhe aleatët e Bashës përveç Dukës që e dha sinjalin e tij.

Aleati kryesor i PD-së, kryerepublikani Fatmir Mediu ende nuk ka dhënë deklaratë zyrtare mbi zgjedhjet.

Para se të japë një qëndrim për PD-në dhe opozitën, Mediu sa duket po reflekton për pozicionin e tij të ardhshëm politik, për të kaluar më pas tek një qëndrim më i përgjithshëm.

Vangjel Dule në anën tjetër aleati më i dobët këto zgjedhje që ka marrë rreth 800 vota ka dhënë një deklaratë të shkurtër, por duke njoftuar pjesëmarrjen e tij në Kuvend.

Në raport me LSI-në askush nuk e ka të qartë se çfarë do të bëhet, duke evidentuar lëvizje paralele individuale për zgjedhjet dhe rezultatin e as edhe një takim qoftë edhe formal mes Bashës dhe Kryemadhit.

Deri tani LSI po kujdeset t’i çojë sinjale Bashës se duhet të kërkojë sërish zgjedhje e as nuk duhet ta  mendojë një bashkëpunim në të ardhmen me Edi Ramën, sic po kujdesen fort ta theksojnë edhe ndërkombëtarët.

Krejt kakofone janë degët e PD-së nëpër rrethe që po kujdesen me shumë për “emrin” e kryetarit të partisë sesa për procesin zgjedhor.

Përmes disa deklaratash naiviteti politik disa degë duke filluar nga Saranda e deri në Shkodër po kujdesen te thonë se kryetari i partisë nuk duhet të ikë, a thua se vetë kryetari ka hapur një garë zyrtare. E vetmja gjë që dihet është procesi i fund korrikut kur Bashës i mbaron edhe mandati zyrtar. Por deri atëherë ka kohë për këto punë, gjithnjë nëse do të ketë një Kuvend Kombëtar.

Vetë Basha nuk ka përcjelle asgjë në faqen e tij zyrtare në Facebook. Postimi i fundit është deklarata e tij e thatë pa asnjë  mesazh politik për PD-në mbrëmjen e 27 Prillit.

Ndërkohe nga PD-ja përcillen çdo ditë video-montazhe pa thelb se si Rama i fitoi zgjedhjet me Dom Doshin duke radhitur deputetë qe ata i kanë kontestuar edhe para zgjedhjeve, por pa mundur të vërtetojnë për secilin prej tyre se si ata i vodhën këto zgjedhje.

I vetmi denoncim zyrtar është ai ndaj ministres Belinda Balluku për legalizimet në prag zgjedhjesh kryesisht në zonën e Kombinatit.

Një tjetër denoncim konkret që as mund të quhet i PD-së, por i medias është se si nën hundën e PD-së së Durrësit dhe kryetarit të saj, Ferdinand Xhaferri (që po kujdeset këto kohë të ruajë figurën e Bashës nga ata që po e sulmojnë për mandatin), Bashkia e Durrësit kishte përcjellë muajt e fundit deri edhe tre ditë para zgjedhjeve rreth 40 mln euro transferta kesh për familjet e prekura nga tërmeti.

SI