Rritja e rasteve me fruth jo vetëm në vendet e Evropës, por së fundmi edhe në rajon, për ekspertët shihet si kërcënim për përhapjen e sëmundjes edhe në vendin tonë, ku gjatë muajit mars u raportuan 14 fëmijë të prekur.
Megjithatë, sipas ekspertëve nuk ka vend për panik, por respektimin me rigorozitet të kalendarit të vaksinave për shkak se të pavaksinuarit janë edhe më të rrezikuar për t’u prekur. Kjo situatë vuri në alarm prindër, por edhe institucione, të cilat kanë nisur kontrolle të shtuara.
Nga java që lamë pas e në vijim, Inspektorati Shëndetësor është në terren nëpër institucione parashkollore jopublike për verifikimin e kartelave të vaksinimit të fëmijëve me qëllim identifikimin e kopshteve dhe çerdheve që kanë pranuar fëmijë të pavaksinuar në kundërshtimin më rregullat.
MOSVAKSINIMI
Shpërthimi i një vatre infektimi me sëmundjen e fruthit në Fier dhe disa raste të tjera jashtë kësaj bashkie tregoi në mënyrë të përsëritur faktin se mosvaksinimi i fëmijëve në kohën e duhur bëhet gjithmonë shkak për këtë situatë. Aktualisht kemi 14 fëmijë të infektuar.