Këtë të hënë, 9 shkurt, është mbledhur në Kryesi që prej orës 10:00 grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
I pranishëm ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.
“3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
- Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
- Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
- E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, është ky postimi i kryeministrit fill pas mbledhjes.
Vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.
Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Teksa e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, Rama e bëri të qartë se beteja ligjore për këtë rast do të vijojë, duke ritheksuar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq.
Kjo mbledhje, është e përjavshme, zhvillohet para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.



