Deputetët kosovarë vazhdojnë të bëjnë “gjumë” pasi prej muajsh nuk po arrijnw të votojnë një numër pr/ligjesh e pojektrezolutash të mbetura nga seancat e kaluara. Kjo ndodhi edhe në seancën e së enjtes, ku edhe pse prezent në sallë ishin 63 deputetë, disa prej tyre nuk morën pjesë fare në votim megjithë thirrjet e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti.

Një deputet i mazhorancës dhe një opozitar kritikuan kolegët e tyre për mospjesëmarrje fare në votim.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci ju tha kolegëve deputetë se duhet të marrin pjesë në votim pavarësisht si votojnë.

“Dua tërheq vërejtjen me keqardhje. Dua t’ua përkujtoj që kur keni dhënë betimin për deputet, keni marrë obligimin të votoni për çdo gjë që vihet në votim. Jeni të obliguar të votoni. Mos e prishni mbledhjen. Për, kontra ose për. Por të votoni jeni të obliguar. Kush nuk voton fare ai faktikisht nuk është në seancë. S’ka kuptim me prish mbledhjen kaq”, tha Mikullovci.

Por deputeti i NISMAs-s, Milaim Zeka, kishte një kërkesë nga Kuvendi, që t’ua sjell nga një jastëk dhe të flenë.

“Desha me mbështet fjalën e Bacit Adem. Nëse shkoni në arkivë e merrni çdo Rezolutë që e ka propozuar LDK dhe VV kam votuar për. Arsye pse kam votuar ‘për’. Sepse rezolutat janë vetëm këshillë për qeverinë, nuk janë obligative. Në qoftë se  na tallemi në këtë formë në parlament me votuesit tanë, marre për neve. Bash marre e marre e marre. Le që s’po i votojmë ligjet , por ne s’po i votojmë as rezolutat që fare s’kanë të bëjnë me ligje. Prandaj e kena blloku parlamentin. Z.kryesues propozoj me na sjell nga një jastëk këtu e një sfungjer, bile me ia fut gjumë”, tha Zeka.

E vetmja që u miratua ishte propozim rezoluta e grupit të LDK-së nga interpelanca me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018.

Projektligjet dhe rezolutat që s’u miratuan

Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nga  interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës.

Po ashtu në mungesë votash nuk u miratua as propozim-rezoluta në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

Nuk u miratua as propozim rezoluta e grupit parlamentar të LDK-së, në lidhje me vendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve për grante dhe subvencione.

Nuk kaloi as projektligji për aktet juridike dhe as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  tatimin në të ardhurat personale.

Nuk u miratua as Projektligji  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Nuk u miratua as  Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-037 për Tatimin në Vlerën e Shtuar. Po ashtu nuk u votua as  raportit vjetor financiar për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017.

Nu u miratua as raporti vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017.

Nuk u miratua as raporti vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin  2017, as ai i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017.

B.Gashi –

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re