Një stuhi goditi Greqinë në fundjavë dhe si pasojë dy persona humbën jetën, ndërsa një pjesë e madhe e vendit u përmbyt, përfshirë edhe ishullin Rodos.

Një blegtor 57-vjeçar vdiq në ishullin Limnos kur u përfshi nga një përmbytje. Ai u përpoq të çlironte makinën e tij, e cila ishte ngecur në baltë pranë digës së tejmbushur. Disa orë më vonë ai u gjet i pajetë dhe ambulanca mundi vetëm të deklaronte vdekjen.

Në një incident të veçantë, një 70-vjeçar banor i Limnos pësoi një dëmtim fatal në kokë pasi u rrëzua në shkallët e rrëshqitshme teksa pastronte shtëpinë e tij prej baltës gjatë përmbytjes.
Autoritetet në Greqi lëshuan shumë alarme urgjence duke përdorur numrin evropian të urgjencës 112.

Në një nga paralajmërimet, banorët e zonës janë thirrur të evakuohen për shkak të tejmbushjes së digës. Stuhia u përhap përtej Limnosit dhe ishulli i njohur turistik i Rodosit u përmbyt gjithashtu.

Nga reshjet e dendura të shiut, shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në rrugët e përmbytura, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të shtyjnë të gjitha udhëtimet deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i Greqisë parashikon se moti i rënduar me rreshje do të vazhdojë deri të hënën në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në zonat qendrore dhe veriore. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko