Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nëpërmjet një postimi në “facebook” ka pasqyruar situatën e ngrohjes në shkolla.

Kujtojmë vendi ynë prej disa ditësh është përfshirë nga një mot i acartë, sidomos në zonat malore.

Kushi shkruan se po ndiqen me shumë kujdes situata e shkollave në të gjithë vendin, ndërsa është kërkuar nga çdo bashki marrja e masave në kohë për sigurimin e ngrohjes dhe garantimin e kushteve për zhvillimin e procesit normal mësimor.

Ministrja shton se pas raportimeve mbi situatën në terren, është kërkua në mënyrë urgjentee pajisja me sistem ngrohjeje e 28 shkollave.

Postimi i Kushit:

Duke konsideruar prioritet absolut shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë, gjatë gjithë vitit, e veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura tepër të ulëta dhe me ngrica në disa zona malore të vendit, po e ndjekim me shumë kujdes situatën e shkollave në të gjithë territorin e vendit, përmes strukturave tona arsimore.

Në komunikim të vazhdueshëm me çdo bashki dhe njësi administrative në vend, kemi kërkuar marrjen e masave në kohë, sigurimin e ngrohjes dhe garantimin e kushteve për zhvillimin e procesit normal mësimor, si pjesë e përgjegjësisë së tyre.

Përsa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore, kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohjeje të 28 shkollave nga ana e bashkive respektive.

Ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra: ngrohje qendrore me kaldajë, kondicionerë, ngrohës me energji elektrike, si dhe sobë me dru ose pelet. Duke vlerësuar këtë përpjekje të përbashkët me institucionet e pushtetit vendor dhe institucione të tjera, u kemi kërkuar bashkive të marrin masa për 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre. Gjithashtu, i kemi informuar që të ndërhyjnë në 21 shkolla, ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse.
Në disa shkolla të zyrave arsimore Dibër dhe Devoll, ku temperaturat janë tepër të ulëta, orët e mësimit janë reduktuar me 10 minuta.

Për sa i përket menaxhimit të përbashkët të situatës, vijojmë takimet konstruktive dhe komunikimet e vazhdueshme me kryetarët e bashkive, për t’i falënderuar për bashkëpunimin dhe për t’i kërkuar vëmendje të shtuar në këto ditë të ftohta.r.t

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re