Një masë e ftohtë nga Arktiku ka shkaktuar furtuna në disa shtete amerikane. Madje edhe në Kaliforninë e ngrohtë, banorët u rrethuan nga dëbora e pazakontë, reshje dhe erëra të forta që pengojnë punën e ekipeve të emergjencave, si dhe kanë bllokuar autostradat kryesore. Furtuna mendohet të zhvendoset gjatë gjithë Shteteve të Bashkuara, duke mbërritur deri në Boston dhe Nju Jork gjatë ditëve në vazhdim.

 

Banorët në rrethinat e Los Anxhelosit u gjendën të shtunën të rrethuar nga dëbora e pazakontë për Kaliforninë.

 

Qarku i Los Anxhelosit kishte gati 30 vjet pa përjetuar një situatë të tillë. Shirat e dendur, përmbytjet dhe era e fortë pengonte punonjësit e ekipeve të emergjencave në Bashkinë Ventura, ndërsa përpiqeshin të evakuonin një person të bllokuar në makinën e tij.

 

Në San Bernardino, mjete të mëdha borëpastruese përpiqeshin të mbanin të hapura rrugët. Megjithatë disa autostrada u mbyllën për shkak të kushteve të rrezikshme.

 

“Është çmenduri. Borë gjithandej. Aksidente kudo. Nuk ka qenë kështu prej vitesh”, thotë një banore e zonës.

 

Rreth 120 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë elektrike në zonën e Los Anxhelosit ndërsa furtuna solli dëborë, shi dhe breshër. Në disa pjesë malore dëbora pati prurje në deri 205 centimetra.

 

Banorët e kryeqyteti Sakramento janë udhëzuar të shmangin udhëtimin deri ditën e mërkurën.

Në shtetin Miçigan, rreth 350 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji gjatë fundjavës.

 

Sipas metereologëve, shkaktar i kësaj furtune të pazakontë ishte një sistem i presionit të ulët që erdhi nga Arktiku.

 

Qendra Kombëtare e Motit paralajmëroi se furtunat dimërore do të vazhdonin të dielën në Kaliforni, si dhe më tej në Kolorado, Jutah, Arizona, Nju Meksiko, si dhe në Teksas, Oklahoma dhe Misuri. Brenda 72 orësh pritet që furtunat të kenë përshkuar të gjithë Amerikën dhe do të arrijnë deri në Boston dhe Nju Jork./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re