Moti i keq, informacion mbi situatën sipas qarqeve

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar problematika në qarqe të ndryshme të vendit.

Agjencia për Media dhe Informim njoftoi sot se në disa prej qarqeve më të mëdha të vendit, ka problematika si bllokim rrugësh, rrëshqitje dherash dhe disa familje të evakuara.

Qarku Kukës

Rrugë të bllokuara si rezultat i shembjeve dhe prezencë të gurëve dhe inerteve janë:

Rruga e fshatit Tejdrinë që lidhet me njësinë administrative Ujmisht.

Rruga që lidh lagjen Haravel me fshatin Lusën.

Rruga e fshatit Lojme dhe Orqikël të njësinë administrative Zapod.

Rruga e fshatit Borje, njësia administrative Shishtavec.

Bashkia Tropojë

Në njësinë administrative Bujan, në fshatin Gegysen ka rrëshqitje dherash dhe bllokim rrugësh. Mjetet e bashkisë po punojnë për hapjen e saj.

Bashkia Has

Në njësitë administrative Golaj dhe Fajza, si pasojë e reshjeve të shiut janë evidentuar dëmtime në disa rrugë.

Qarku Durrës

Në disa akse rrugore të qytetit qarkullimi është i vështirësuar, pasi disa segmente vijojnë të mbeten problematike. Autostrada Durrës–Tiranë vijon të jetë e kalueshme, në disa segmente qarkullimi është devijuar nëpërmjet rrugës së Ndroqit për arsye trafiku dhe prezencës së ujit.

Bashkia Shijak

Situata në bashkinë Shijak vijon të mbetet problematike, me vështirësi serioze në disa akse rrugore dhe me prani të banesave të përmbytura. Gjendja paraqitet veçanërisht e rënduar në njësitë administrative Xhafzotaj, Mamianë dhe Gjepalaj.

Qarku Vlorë

Rrugët rurale dhe nacionale janë të aksesueshme normalisht.
Ka probleme në aksin Qafë-Dushk – Sevaster ku ka vërshime uji dhe aluvione në trupin e rrugës, po punohet për pastrimin e saj. Problematika furnizimi me energji elektrike në bashkinë Finiq, si pasojë e stakimit të nënstacionit të Livadhjas. Niveli i Vjosës në urën e Mifolit në kuota normale.

Bashkia Selenicë

Ka shkarje të rrugës në fshatin Vajzë, njësia administrative Kotë. Njëkohësisht ka shembje të dy banesave, nuk ka probleme për banorët.

Qarku Gjirokastër

Lagjet e poshtme të qytetit të Gjirokastrës janë të përmbytura nga vërshimet e ujit. Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë të inerteve, të cilat kërkojnë mjete të rënda për largimin e tyre. Aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë është i kalueshëm nga automjetet. Liqeni i Viroit ka rritur nivelin dhe ka dalë në rrugën Kombëtare Gjirokastër-Tepelenë.

Bashkia Tepelenë

Shkarje dherash janë konstatuar edhe në aksin rrugor Lekël-Këlcyrë. Pas ndërhyrjes së firmës kontraktore situata u normalizua.

Bashkia Dropull

Problematikë mbetet ura e dëmtuar e Glinës, si dhe bllokimi i bypass-it të ndërtuar për devijimin e qarkullimit rrugor, për shkak të prurjeve të përroit të fshatit Nepravishtë.

Bashkia Malësi e Madhe

Ndërhyrje në disa zona për pastrimin e kanaleve kulluese dhe rrugëve nga prurjet e reshjeve, të cilat kishin sjellë mbeturina dhe materiale inerte. Gjithashtu, është ndërhyrë për rregullimin e rrugës në njësinë administrative Qendër, në fshatin Dragovujë, e cila ishte dëmtuar nga përroi.

Bashkia Kurbin

Ka prezencë uji në gjithë zonën e ulët dhe tokat bujqësore. Problematike mbeten disa akse rrugore në fshatra, si në drejtim të fshatit Gjorm e Zhejë, rruga Laç-Mamurras, rruga Laç-Milot, midis zonës së Shullazit dhe Malit të Bardhë. Sipërfaqja e tokës së përmbytur deri tani është rreth 1500 ha.

Bashkia Lezhë

Ka fryrje të lumit Gjadër në zonën e fshatit Grash dhe Zojz. Njësia administrative Shënkoll ka toka të përmbytura rreth 150 ha. Nuk raportohet për prezencë uji në shtëpitë e banimit në këtë njësi. U ndërhy për hapjen e kanalit të Myltes për shkarkimin e ujit në det.