Shqipëria përfshihet nga moti i keq. Në aksin e Llogarasë nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve, pasi rruga është e hapur nga dëbora.

Ndërsa në Durrës dhe Vlorë ende peshkarexhat nuk lejohen të lundrojnë në det.

Pritet që sot në orën 12:00 të niset trageti i linjës Durrës- Bari nga porti i Durrësit, pasi një ditë më parë u pezulluan lundrimet në det.

Vendi prej disa ditësh është përfshirë nga moti i ftohtë. Ditën e sotme do të vijojnë reshjet e dëborës në veri, veri-lindje, jug dhe jug-lindje të vendit.

Sipas Instituti i të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ditën e sotme temperaturat minimale në zonat malore do të shkojnë deri në -6 gradë. Ndërkohë parashikohet se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë erëra të forta.

Era do të vijojë të fryjë me shpejtësi deri në 75 km/h nga drejtimi Verior-Verilindor duke krijuar në det dallgëzim mbi 6 ballë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re