Policia Rrugore, nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu në disa zona të vendit, apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.

Policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë manovra apo parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Po kështu policia iu bën apel drejtuesve të motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe atyre të biçikletave të ndriçojnë biçikletën gjatë udhëtimit dhe në rast rreshjeve të dendura të ndërpresin lëvizjen deri në qetësimin e motit, për të mos rrezikuar jetën.

Gjithashtu policia thotë se një vëmendje të veçantë duhet të tregojnë edhe këmbësorët që tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi edhe për shkak të shiut dhe errësirës, rreziku është i madh për tu përfshirë në aksident rrugor.

Policia Rrugore ka shtuar shërbimet në të gjitha akset dhe siguron drejtuesit e mjeteve se për çdo emergjencë që mund të kenë gjatë udhëtimit të telefonojnë menjëherë në numrin 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital dhe shërbimi i Policisë do të jetë në kohë reale në ndihmë të tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re