Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat për situatën pas reshjve intensive në vend.

 

 

Bazuar në këto të dhëna, veriu i vendit ka hasur vështirësi në qarkullim për shkak të prezencës së lartë të ujit në disa akse rrugore.

 

 

Në zonën e Vermoshit, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike dhe po punohet për rikthimin e saj.

 

 

Ndërkohë hidrovorët punojnë normalisht nën kuotat kritike.

 

 

“Sipas të dhënave nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, në Agjencinë e Mbrojtjes Civile reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit. Agjencia e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion të bashkisë së Shkodrës mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete ujore. Një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të FA janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot. Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshme nga mjetet e vogla.

 

Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë. Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës në vendin e quajtur ” Qafa e Pëllumbit”. Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit. Sipas raportimeve hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike. Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale. Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimi të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut. Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona. Në të gjtha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është e gatshme t’u përgjigjet në çdo kohë kërkesave të pushtetit vendor, duke vënë në dispozicion të komuniteteve të gjitha kapacitetet e nevojshme.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re