Studiuesi Auron Tare ka cekur me një pikëpyetje sfiduese çështjen e restaurimit të Mozaikut në ballë të Muzeut Historik Kombëtar, murale e periudhës së komunizmit. Aty mungon sërish ylli që u hoq vite më parë me vendim të Berishës, gjë e cila ngjall një debat.

Ja ç’shkruan për këtë studiuesi Tare:

“Heqja e yllit nga flamuri gjatë periudhës së Berishës së parë ishte pjesë e një debati midis specialistëve të Trashëgimisë Kulturore.

Koha menjëherë pas rënies së komunizmit mund ta justifikonte disi këtë retushim historik në një prej veprave më madhore artistike të periudhës së realizmit socialist. 

Ndërkohë, heqja fare e yllit të madh pas figurës së gruas dhe heqja e librit nga dora e punëtorit në Mozaik ishte një ndërhyrje që i hiqte një pjesë të mirë të kuptimit kësaj vepre të realizmit socialist.  

Restaurimi me një fond të Bashkimit Europian e konsolidoi veprën nga gjendja strukturale, por nuk ktheu pjesët e hequra me pa të drejtë nga një vepër që i përket një epoke tashmë të përfunduar. 

A duhet retushuar historia në këtë mënyrë? 

A duhet që periudha postkomuniste të veprojë me të njëjtin standart si praktikat e periudhës komuniste, e cila retushonte historinë përpara saj? 

A ka rrezik që ashtu si brezi i lindur dhe rritur në komunizëm, i cili e mësoi historinë të deformuar, edhe brezi postkomunist të ndjekë të njëjtën mënyrë të mësuarit të historisë? 

A duhet një vepër e financuar nga fonde europiane të përfaqësojë një histori të retushuar?”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re