Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës në një deklaratë me shkrim dënoi sulmin e ushtrisë izraelite ndaj spitalit Al-Shifa në Gaza.

MPJ e Palestinës tha se sulmi i ushtrisë izraelite ndaj spitalit Al-Shifa në Gaza është shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe bëri thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për të mbrojtur mijëra persona.

“Bastisjet ndaj spitaleve në Gaza janë një shtrirje e të gjitha shkeljeve dhe krimeve që pushtuesi ka kryer kundër popullit tonë. Sulmi ndaj spitalit Al-Shifa është shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe Konventave të Gjenevës”, thuhet në deklaratë.

“Qytetarët palestinezë janë privuar nga marrja e shërbimeve të trajtimit dhe ato mjekësore me shënjestrimin e vazhdueshëm të qendrave shëndetësore, ekipeve të ambulancës dhe ato shëndetësore”, theksohet në deklaratën ku Izraeli bëhet plotësisht përgjegjës për sigurinë e mijëra pacientëve, të plagosurve dhe fëmijëve, përfshirë personelin shëndetësor, foshnjet prematurë (të lindurit para kohe) dhe personat e zhvendosur.

Në deklaratë bëhet thirrje për ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të siguruar mbrojtje për mijëra palestinezë, përfshirë personelin shëndetësor, pacientët dhe të zhvendosurit.

Ushtria izraelite sot në mëngjes bastisi spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në rajon në të cilin ndodhen mijëra pacientë dhe civilë të zhvendosur në Gaza.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re