Gazetari Çlirim Hoxha ka rrëfyer si e përjetoi sëmundjen e koronavirusit, me të cilën po lufton prej 27 ditësh. Në një postim në Facebook bën të ditur se pavarësisht masave që zbatonte, nuk ia doli që të shpëtonte veten nga infektimi.

Shenjat e para që iu shfaqën ishin temperatura dhe dhimbja e fortë e kokës, e më pas vijuan problemet me frymëmarrjen. Ndonëse mori ilacet në kohë dhe u konsultua me mjekun Tritan Kalo, sëmundja vazhdonte të bënte efektin në trupin e tij.

Në shkrimin e tij, Hoxha i bën thirrje njerëzve që të mos neglizhojnë asnjë shenjë pasi siç janë tek njëri, nuk janë tek një person tjetër.

Shkrimi i plotë:

Tetori që sapo u largua ishte i vështirë për mua.

Miqtë e mi, unë e mbaja veten si njeri të rregullt dhe zbatoja me përpikmëri masat kundër infektimit me koronavirusin e tmerrshëm. Unë nuk e hiqja maskën as në rrugë, madje edhe kur bëja ecje përgjatë shëtitores nga Skela në Ujin e Ftohtë. Unë shishen me alkol e mbaja gjithmonë me vete dhe askush nuk hipte në makinën time pa disifektuar duart me alkol. Pikërisht, me gjithë këto masa unë u infektova me Covid 19 në fillim të tetorit. Nuk e di se si u infektova dhe kush ma ngjiti, pasi askush nuk e ka të shkruar në ballë, që e ka apo jo virusin. Kam kaluar në mendje të gjitha lëvizjet që kamë bërë e të gjithë njerëzit me të cilët jam takuar, por nuk e di si u infektova dhe nga kush. Ndoshta humbja për një çast e vigjilencës më bëri që të infektohem.

Po u tregoi rrugëtimin e gjendjes time në momentin që u dhanë shenjat e para:

Dita e parë, data 6 tetor nisi me shpim të grykës dhe dhimbje koke në majë të kokës dhe nga pas dhe gjatë natës mu ça balli nga dhimbjet. Temperatura shkoi në 38.5. Fillova me paracetamol për të mbajtur nënë kontroll temperaturën. E quajta një ftohje, për shkak se rrija në shtëpi me kanotiere, por edhe sepse kishte nisur gripi sezonal dhe ndoshta ishte ky i fundit që më kishte kapur. Më nisi kolla. Gjatë natës përdora tre herë paracetamol në çdo 5-6 orë. Dita e dytë kisha dhimbje trupi dhe kollë. Temperatura në mëngjes ishte 36.5. Nuk mund të haja dot si më parë, nuk më linte kolla, por e bëra këtë me pahir. Temperatura nisi të rritej pas orës 14 pasdite në 37.3 dhe 37.5 dhe 37.8. Fillova me paracetamol në çdo 5-6 orë. Dita e tretë e kuptova që nuk ishte një grip sezonal, por se duhet të isha infektuar me Covid 19. Fillova të ushqehesha me lëng mishi, supëra dhe ushqime me kalori, por edhe disa çajëra gjatë ditës. Ditën e gjashtë i shkruajta Dr. Tritan Kalos në fb dhe i paraqita situatën. Kolla po më mbyste, gjoksi më dhimbte, por frymëmarrjen e kisha nënë kontroll. Doktori më sugjeroi që menjëherë duhet të nisja mjekimin për ti paraprirë acarimit të gjendjes. Ai më rekomandoi antibiotik të fortë, Klarithromicinë 500 mg në çdo 12 orë, shoqëruar me Vitaminë C + magnez+ D direkt.

Kjo vitaminë është në formë sheqeri dhe pihet pa ujë duke u tretur në gojë, forcon imunitetin. Gjithashtu Dr. Kalo më rekomandoi aspirinën protekt një herë në ditë në drekë, si dhe një shurup kundra kollës. Ditën e shtatë i telefonova 127-tës dhe i paraqita gjendjen në të cilën ndodhesha. Më sugjeruan që të bëja tamponin në DSHSH e Vlorës. Të nesërmen më telefonuan nga DSHSH dhe më kërkuan që të paraqitesha për të bërë tamponin. Shkova dhe bëra tamponin dhe pas dy ditësh mora përgjigjen. Isha pozitiv me Covid 19. Më lidhën me mjeken e lagjes për të mbajtur nënë kontroll ecurinë. Ndoshta isha vonuar një javë duke shpresuar se kjo gjendje do kalonte, por isha gabuar. Mbaja kontakte të përditshme me Dr. Tritan Kalon, duke i treguar situatën dhe duke marrë këshilla dhe sugjerime nga ai. E pyeta Dr. Tritanin për gripin e stinës. Ai më tha se gripi sezonal të mban një javë, ndërkohë që unë e kisha kaluar javën. I thash doktorit se kisha vërejtur shenja gjaku nga hundët dhe ai më kërkoi që të ndërprisja aspirinën. Doktori më tha se Covid 19 e ka 12-14 ditë kohën e inkubacionit. Vazhdoja të isha me temperaturë rreth 37.5 dhe përdorja paracetamol për ta ulur. Doktori më rekomandoi që të blija një oksimetër dhe të kontrolloja nivelin e oksigjenit në gjak dhe pulsin. E bleva në farmaci dhe tre herë në ditë kontrolloja oksigjenin dhe pulsin. Oksigjenin e kisha brenda normave, kurse pulsi luhatej. Tensionin e kisha 11 ose 12 me 7.

Në javën e dytë nisa të ndjeja rëndim në stomak për shkak të antibiotikut (unë jam delikat nga stomaku dhe përdorja një ilaç për ta mbrojtur atë, por duket ai nuk bënte shumë punë) dhe kjo më bënte që të kisha probleme kur merrja frymë, më mbyste kolla, megjithëse mundohesha ta frenoja. I shkrova Dr. Tritan Kalos dhe i tregova për gjendjen. Ai më rekomandoi që të merrja Nexium 20 mg, një kokërr esëll dhe një në mbrëmje para se të flija. Menjëherë u normalizua situata. Mbërrita në ditën e 14 të infeksionit dhe mu ndërpre menjëherë temperatura. Kaloi mbrëmja, kaloi nata dhe nuk pata më temperaturë. Kjo më gëzoi sepse po kuptoja që po kapërceja zonën e rrezikut. Kolla vazhdonte të ishte prezent, por çdo ditë duke u rralluar. Dr. Tritan Kalo më këshillonte të kisha durim, sepse kjo situatë vazhdon me ditë dhe javë deri në stabilizim të plotë. Kaloi një javë pas ditës së 14 dhe temperatura nuk u shfaq më, ndërsa kolla erdhi duke u shuar. Pak dhimbje të lehtë kokë dhe pak dhimbje barku duken hera herës. Antibiotiku më kishte dëmtuar florën e barkut dhe pas 10 ditë mjekim me antibiotik doktori më rekomandoi ta ndërprisja marrjen e antibiotikut dhe të merrja Yovita si dhe kos, janë disa shishe të vogla me një solucion për normalizimin e florës së zorrëve.

Sot që po u shkruaj është dita e 27.

Ajo që dua tu them të gjithëve është kjo:

Mos neglizhoni asnjë shenjë. Siç janë te njëri person, nuk janë te tjetri.
Merreni seriozisht sapo tu shfaqet temperatura.
Kërkoni nga 127 të bëni tamponin.
Lidhuni me mjekët infeksionit dhe me mjekun e familjes për të mbajtur gjendjen në kontroll.
Është më mirë të trajtohesh në shtëpi se sa në spital kur situata është nënë kontroll.
Ushqehuni mirë dhe ajrosni shtëpinë.
Një pjesë e kalojnë lehtë dhe brenda disa ditëve normalizohen. Ka të bëjë shumë imuniteti i gjithsecilit, por edhe vaksinat që kemi bërë gjatë jetës.
Kush ka sëmundje bashkëshoqëruese si diabet apo hipertension, nuk duhet të neglizhoi asnjë shenjë.

Me këtë rast dua të falënderoi publikisht Dr. Tritan Kalon, i cili u tregua i papërtuar, i kudogjendur, i disponushëm në çdo kohë me këshillat dhe sugjerimet apo rekomandimet e tij mjaftë të vlefshme. Faleminderit Dr. Tritan Kalo, pa ndihmën dhe kujdesin tuaj bota do të ishte një mynxyrë e vërtetë. Respekte pa fund për gjithçka që ju dhe kolegët tuaj bëjnë në shërbim të ruajtjes së jetës.

Faleminderit edhe të gjithë miqve dhe shokëve që këto ditë janë interesuar për shëndetin tim. Ruajeni veten, mbani maskën, ruani distancën, kujdes me duart dhe mos neglizhoni asnjë shenjë. Deri sa të dali vaksina antikovid, bota do të jetë e mbërthyer nga frika dhe pasiguria për jetën.

Duajeni dhe mbrojeni jetën!

Çlirim Hoxha

Vlorë, 01.11.2020.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re