Fund dhjetori. Viti 2021. Aureli 12 vjeçar dergjej në spitalin e pediatrisë në Tiranë. Dhimbjet ishin të shumta për të, shpesh e më shpesh të padurueshme.

Prindërit e Aurelit ishin zhytur në dëshpërim. Lajmi se i biri ishte me leuçemi u ra si bombë, ndërsa ata e kishin të pamundur që të përballonin kurimin jashtë shtetit.

Por shqiptarët ishin pranë kësaj familje në nevojë. Thirrja u bë nga “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe brenda dy ditësh, u bë e mundur mbledhja e një shume të madhe, plot 120 mijë eurosh. Aueli u nis drejt Italisë, ndërsa atje e priste një ndërhyrje (transplant).

Kanë kaluar tashmë muaj dhe emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” shkoi të vizitojë fëmijët e shpëtuar nga kontributet e bamirësve, mes tyre edhe Aurelin.

Sidrit Bejleri takon vogëlushin me nënën e të vëllanë, Anteon. Ky ëngjëll i vogël ishte ai që dha nga palca e tij për t’i shpëtuar jetën të vëllait. Nëna e Aurelit preket kur kujton ditët e vështira para marrjes së përgjigjes së analizave. Fatmirësisht tashmë, ditët e vështira janë një kujtim, një makth që do të harrohet falë zemrave të shqiptarëve.

Nëna e Aurelit: Në darkë erdhi doktori e na tregoi se për 20 ditë do të na vinte rezultati. Operimi shkoi për mrekulli. Faleminderit prej jush e Zotit, se pa ju im bir nuk do të ishte ky që është sot. Faleminderit shqiptarëve që na ndihmuan.

Sidriti: Edhe sikur shuma të mos ishte mbledhur, Fondacioni do të kishte mbajtur fjalën. Besoj tani gjërat janë mirë.

Nëna e Aurelit: Çdo gjë ka shkuar mirë.

Sidriti: E shoh që mallëngjesh, e dashtë Zoti të dy fëmijët e tu kanë jetë të gjatë e ne do t’i shohim të bëhen burra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re