Analisti Mustafa Nano ka deklaruar se është pro bashkëqeverisjes mes PD-së dhe PS-së, një ide kjo që ka qarkulluar muajt e fundit, sidomos nga njerëz pranë Edi Ramës, që duken mjaft të interesuar për avancimin e kësaj teze.

I ftuar në TvT, Nano tha se të mirat që do të sillte një bashkëqeverisje e tillë janë më shumë sesa të këqijat!

“Unë vetë jam pro idesë për një bashkëqeverisje PD-PS edhe për 2 ose 3 mandate. E shoh me simpati sepse ka një sërë të mirash. Ka një të keqe, vendi mbetet pa opozitë. Ky moçali që ne vëmë re në qeverisje, do të jetë më i madh, korrupsionin nuk do të ketë kush ta kundërshtojë. Të mirat për bashkëqeverisje janë më të mëdha dhe më të rëndësishme. Do të pushojë lufta e palëve, do të na pushojnë veshët. Një bashkëqeverisje u jep mundësinë dy partive të bëjnë reforma të rëndësishme, që kur të kemi rotacion, administrata dhe institucionet të mos preken më. Nuk do të kemi më politikanë të opozitës që shkojnë në kancelaritë europiane dhe ankohen për qeverinë. Bashkëqeverisja i zgjidh këto probleme. Por ka edhe një të keqe tjetër. Palët gjejnë qetësinë dhe lirohen nga çdo presion dhe ndihen më rehat. Janë fajtore dhe duhet të mos ndihen rehat. Balanca anon nga të mirat e kësaj lëvizjeje”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re